PËRGJIGJET E MUNGUARA
Të hënën, drejtori i një institucionit publik në Preshevë keqpërdori kamerat e sigurisë ndaj një qytetare.
Institucioni : Shtëpia e Shëndetit.
Qytetarja : shoqëruesja e një pacienteje familjare.
Motivi: politik.
Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit është bashkëpunëtor i afërt i kryetarit të Komunës. Qytetarja është oponentja politike e kryetarit të Komunës.
Kryetari i Komunës i doli në mbrojtje drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit. Asnjë solidaritet me qytetarën. Përkundrazi. Kritika e sulme shtesë politike dhe personale.
Kryetari i Kuvendit, parlament lokal që e zgjedh drejtorin e Shtëpisë së Shëndetit, heshti. Asnjë fjalë për qytetarën dhe drejtorin.
Të enjten, partia e kryetarit të Komunës reagon më në fund ndaj rastit. Pak fjali. Të firmosura nga “Forumi i Gruas”. Asnjë kritikë ndaj drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit. Asnjë solidaritet me qytetarën. Kritika e sulme shtesë politike dhe personale.
Sidoqoftë, përtej kësaj, sot, thelbi është në përgjigjet e munguara. Tek të pathënat.
- Kryetari i Komunës dhe i Kuvendit Komunal të Preshevës, këshilltarët e Kuvendit Komunal, partitë politike, sidomos ato në pushtet, çfarë mendojnë dhe a pajtohen me veprimin e drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit?
- Është ky modeli i një institucionit publik që i duhet Preshevës?
- Duan këso drejtori të Shtëpisë së Shëndetit?
- Duhet lejuar këso veprime nga zyrtarët publik, qofshin ata të radhëve “tona”?
- Pajtohemi më këtë lloj trajtimi ndaj pacienteve që kërkojnë kurim në institucionin shëndetësor ?
- Duhet të marrim masa apo jo? Nëse jo, a pranojmë këto vlera shoqërore dhe a pajtohemi me metodat e tilla politike ?
- Nëse po, ndaj kujt duhet të ndërmarrim masa? Drejtorit apo qytetarës/pacientës?
Këto janë disa nga pikëpyetjet thelbësore që kërkojnë sot përgjigje.
Të tjerat janë për momentin dytësore. Edhe pse jo të parëndësishme për të nesërmen tonë të përbashkët. shkruan Partia për Veprim Demokratik në profilin e saj zyrtarë në facebook.