Vuçiq: Ndarja e Kosovës, një zgjidhje e mundshme

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se ndarja e Kosovës është një zgjidhje e mundshme.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një intervistë për “TV Pink”, transmeton lajmi.net, ka thënë se ndarja e Kosovës mund të jetë një zgjidhje e mundshme.

Sipas tij, Serbia ka shumë presion sa i për çështjen e Kosovës.

“Pozita jonë në botë është shumë më e mirë se sa më herët, por është vështirë kur keni presione nga anë të ndryshme dhe kur shqiptarët sillen në mënyrë joracionale dhe me papërgjegjësi”, ka thënë Vuçiq në këtë intervistë.

Ai po ashtu ka thënë se taksa e Kosovës ndaj mallrave serbe kundërshtohet nga 28 vendet e Bashkimit Evropian, SHBA-ja, Rusia e Kina.

Ai po ashtu ka shtuar se taksa duhet të hiqet dhe se sipas tij “tashmë duhet të vendosim se a do të kemi zgjidhje për Kosovën apo këtë do t’ua lëmë patriotëve të rremë”.

“Nëse thonë konflikt i ngrirë, atëherë duhet pyetur se çfarë do të bënin nëse shqiptarët e Kosovës e marrin Trepçën ose e sulmojnë veriun. Ku është ai konflikt i ngrirë. Për këtë arsye është më mirë të bisedohet që të mos fajësoheni”, ka thënë ai.

Sipas Vuçiqit “është më me rëndësi që serbët e shqiptarët të bisedojnë si të jetojnë njëri pranë tjetrit dhe bashkë në të ardhmen se sa që të vritemi”.

Gjithashtu, Vuçiq ka theksuar se Haradinaj po bëhet lider falë taksës prandaj nuk po do të heqë dorë nga ajo.

Vuçiq po ashtu ka thënë se amerikanë kanë forcë të jashtëzakonshme, por nuk e kanë atë forcën që e kanë pasur.