Mustafa: Thaçi e Haradinaj po bëjnë garë për të treguar kush është më i forti

Mustafa: Thaçi e Haradinaj po bëjnë garë për të treguar kush është më i forti

Pas mbledhjes së kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka folur i pari i këtij subjekti Isa Mustafa, që ka komentuar sjelljen e kryeministrit dhe presidentit si garë e cila po bëhet për të treguar kush është më i forti.

“Kemi sjelljen e kryeministrit i cili shprehet se me vendimin për tarifën e mbron Kosovën që të mos ndodhë shkëmbimi i kufijve. Mirëpo, detyrë e tij është që ta drejtojë dialogun sepse gjithmonë kështu ka qenë dhe nëse dëshiron që kjo të mos ndodhë duhet të mos e lërë drejtimin e dialogut por të marrë në drejtim këtë epilog ai vetë”, tha Mustafa.

Sipas të parit të LDK-së, Kosova asnjëherë nuk ka qenë në situatë më të rëndë karshi bashkëpunëtorëve dhe përkrahësve që i ka pasur gjithmonë.

E kjo, mund të ketë zgjedhje vetëm nëse vendi shkon në zgjedhje menjëherë, shtoi tutje Mustafa.

“Zgjidhja e vetme që të dalim nga ky qorrsokak është të shkojmë në zgjedhje”, tha Mustafa.

Ai ka mohuar zërat se LDK-ja do të mund të bëhet pjesë e ndonjë qeverie në këtë mandat.

“Askush mos të mendoj në Kosovë që LDK-ja do të hyjë në qeveri në këtë mandat për të shpëtuar ndytësitë e këtij koalicioni përmes LDK-së. Këtë s'do ta bëjmë, këta që e kanë bërë duhet ta lajnë vetë”, shtoi ai.

Mustafa, po ashtu, ka treguar se është takuar edhe me kryeministrin dhe jo vetëm me presidentin, duke shtuar se Thaçi nuk ka kërkuar diçka të veçantë, por e ka paralajmëruar se amerikanët po kërcënojnë me largim të trupave nga Kosova.

Mbledhja e kryesisë së LDK-së

“Ai kur ka thirrë me ardhë ka thënë se po e shoh të nevojshme me të lajmëru se me çka po përballemi. Ka thënë se po rrezikohet largimi i trupave amerikane nga Kosova”, tha ai, duke deklaruar se po bëjnë maksimumin që të sigurojnë votat për rrëzim të Qeverisë aktuale.

“Lidhur me mocionin ne po bëjmë maksimumin. Kjo nuk është qeverisja e AAK-së dhe Ramush Haradinajt por është qeverisja e PDK-së. D.m.th. për të rrëzuar PDK-në çdo herë jemi gati”, tha Mustafa, duke treguar që asnjëherë nuk ka marrë ofertë nga PDK-ja për qeverisje dhe as nuk kanë marrë ftesë nga Hashim Thaçi.