• E mërkurë / Jul-09 22:26
  • Kontakt

Kryetari i sapozgjedhur i Tuzit: T’u japim mesazh bashkimi shqiptarëve kudo që janë

Kryetari i sapozgjedhur i Tuzit: T’u japim mesazh bashkimi shqiptarëve kudo që janë

Kryetari i sapozgjedhur i Tuzit ka dhënë një mesazh bashkimi për të gjithë shqiptarët.

Në deklaratën e tij pak minuta para mbylljes së procesit të votimit në komunën e Tuzit, Nikë Gjeloshaj tha se e rëndësishme është që përmes këtij procesi të dërgohet një mesazh bashkimi, kudo që janë shqiptarët.

Intervista e TopChannel, para mbylljes së votimeve:

A jeni i kënaqur me pjesëmarrjen në vendvotime?

Ju falënderoj pikë së pari për interesin që keni treguar gjatë ditës së sotme. Procesi zgjedhor ka ecur me një frymë të mirë, përveç atyre problemeve teknike. Unë jam i bindur që bashkimi shqiptar ia ka dalë të fitojë. Falënderojmë Top Channel, por edhe të gjithë shqiptarët që na kanë mbështetur në këtë sukses.

Është publikuar një video, ku partia rivale paguan 50 euro për një votë. Keni një koment për këtë?

Këto janë fenomene që ndodhin në Ballkan, por mendoj se duhet të merren organet kompetente me këtë çështje dhe të hetojnë mirë. Ne si politikë, ende nuk mund ta komentojmë dhe të japim një vlerësim, pasi gjithë ditën kemi qenë të angazhuar për mbarëvajtjen e procesit.

Jeni i pari në listë për Forumin Shqiptar. A besoni se do të jeni kryetari i parë i Komunës së Tuzit?

Unë besoj shumë se shqiptarët do të fitojnë dhe Tuzi do t’u çojë një mesazh të gjithëve kudo që janë. Zgjedhja personale nuk është aq e rëndësishme sesa t’u dërgojmë një mesazh bashkimi nga Tuzi, të gjithë shqiptarëve kudo që janë.

Edhe Tuzi me drejtues shqiptar, Nikë Gjeloshaj fiton zgjedhjet e para për komunën

Tuzi për të parën herë i është drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e komunës e kjo është konsideruar një ditë historike për shqiptarët që banojnë në Malin e Zi.

Nikë Gjeloshaj ishte kandidati i përbashkët i koalicionit të tre partive: Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik Shqiptar.

Koalicioni “Forumi shqiptar”, gjatë fushatës garoi me parullën “Malësia na bashkon”.

Rezultatet jozyrtare nxjerrin fitues pikërisht Nikë Gjeloshajn, që ka marrë 3mijë e 682 vota, ose rreth 50% të totalit.

DSP e Milo Gjukanoviçit ka marrë 2 mijë e 490 vota, ose 31 % të totalit, ndërsa Partia boshnjake ka marrë 960 vota, ose rreth 12 % të totalit.

Vlen të theksohet se është e sigurt tashmë që Nikë Gjeloshaj do të jetë kryetari i ardhshëm i Komunës së Tuzit, por nuk dihet nëse shqiptarët do të arrijnë të marrin shumicën në këshill.

Tuzi bëhet kështu komuna e dytë e Malit të Zi, që drejtohet nga shqiptarët, pas komunës së Ulqinit.

Zgjedhjet në Tuz: Fitorja e Forumit Shqiptar, debakël i DPS

Koalicioni i Forumit Shqiptar, i përbërë nga Alternativa Shqiptare, Aleanca Demokratike e Shqiptarëve dhe Bashkimi Demokratik Shqiptar fitoi shumicën e votave në zgjedhjet lokale të Tuzit.

Sipas informatave jozyrtare të mediave nga Mali i Zi, Forumi shqiptar ka fituar rreth 50 për qind të votave të numëruara deri tani, ose 3682 sosh.

Partia DPS e presidentit të Malit të Zi Millo Gjukanoviq ka fituar 2490 vota, përkatësisht 31 për qind, Partia boshnjake 960, ose 12 për qind, gjithnjë duke u referuar rezultateve jo zyrtare.

Bartësi i Listës së Forumit shqiptar Nik Xheloshaj ka thënë për mediat e Malit të Zi se ky koalicion ka fituar 16 mandate.

Ndryshe, Tuzi për herë të parë mori statusin e plotët ë komunës në shtator të vitit të kaluar.

Koalicioni shqiptar fiton më së shumti vota, por s’mund ta qeveris i vetëm Tuzin

Shqiptarët kanë marrë më së shumti vota për Komunën e re të plotë të Tuzit, por aleanca e tyre me gjasë e ka të pamundur të qeverisë e vetme.

KQZ-ja ende nuk ka publikuar të dhënat nga zgjedhjet, por partitë kanë nisur të shpalosin rezultatin e tyre. Në bazë të listes, Koalicioni Shqiptar ka 3682 vota apo 47.13 %. Pas saj është partia e Gjukanoviqit, DPS, me 2490 vota, me 31.87 %.

Partia e tretë ka dalë BS-ja, me 960 vota, apo 12.29 %, që lë prapa SD-në me 359 vota (4.59 %), pastaj Demokrate me 236 vota (3.02 %) dhe krejt në fund SNP, që ka arritur të marrë vetëm 86 vota (1.10 %).