Kosova ta dëgjojë SHBA-në për taksën ose do të përballet me sanksione të rënda

Qeveria e Kosovës po vazhdon të këmbëngul në mospezullimin e taksës, pavarësisht kërkesës së Amerikës dhe BE-së...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar Kosovës që ta pezullojë taksën që nga vendosja e saj, në mënyrë që të vazhdohet dialogu me Serbinë dhe të arrihet marrëveshja përfundimtare ligjërisht e obligueshme.Mirëpo, pavarësisht këtyre kërkesave, kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, po këmbëngul në mbajtjen e taksës.Që nga dita e djeshme në Kosovë është duke qëndruar një delegacion i lartë i Departamentit Amerikan.

Drejtori kryesor për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Erath, drejtorin për Ballkan të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, Brad Berkley, kanë qëndruar në Kosovë ku janë takuar me krerë të shtetit, nga të cilët kanë kërkuar pezullimin e taksës.Mirëpo, as pas kërkesës së tyre, kryeministri Ramush Haradinaj nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket taksës.

E kjo kryeneçësi e Ramush Haradinajt si duket mund t’i kushtojë shumë Kosovës.Të paktën kështu vlerëson politologu Ramush Tahiri.

Tahiri në një prononcim  ka thënë se kryeneçësia e Kosovës karshi Amerikës dhe Bashkimit Evropian për mbajtjen e taksës mund t’i kushtojë me sanksione të mëdha.

“Fatkeqësisht kryeneçësia e udhëheqjes së Kosovës ka vazhdu, edhe me takim me përfaqësuesit shumë të lartë shtetit amerikan dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare (State Departamentit). Edhe këmbëngulësia duket si kryeneçësi sepse kanë vendosur kushte politike për heqjen e taksës që nuk varen nga Amerika por nga Serbia. Në këtë bazë shteti i Kosovës ka dalë jashtë konturave të marrëdhënieve ndërkombëtare edhe në të ardhmen Kosova mundet me u përballë me sanksione të reja edhe bashkësisë ndërkombëtare nëse nuk e pezullon taksën, faktikisht nëse nuk e heq taksën. Sepse taksa është vendosur për një arsye politike, e ka bërë një efekt politik dhe bota e ka parë se ku është problemi i Kosovës dhe Serbisë ama taksa e ka bllokuar dialogun sepse e ka krijuar një situatë të re për vazhdimin e dialogut që Serbia me të drejtë e kushtëzon heqjen e taksës për të vazhduar dialogun”.

Tahiri po ashtu ka thënë se është i zhgënjyer me mospërfilljen e sugjerimeve amerikane, pasi që sipas tij, edhe Bashkimi Evropian, edhe SHBA-ja, por edhe Këshilli i Sigurimit mund të vendosin sanksione ndaj Kosovës.“Faktikisht Kosova tash nuk është duke e dëgjuar Bashkimin Evropian e as Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe unë nuk e shoh se deri ku mundet me shku kështu. Sepse në qoftë se del se Kosova paska drejtë Bashkimi Evropian nuk ka të drejtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë të drejtë, cili do të jetë hapi i ardhshëm. Çka pret Kosova me ndodhë, nuk besoj që Kosova pret që Serbia të pendohet për shkak të një takse që i ka vendosur mallrave që eksportohen në Kosovë, këto mallra që eksportohen në Kosovë nuk ndikojnë në ekonominë e Serbisë. Serbët po ankohen por nuk janë duke pësuar humbje ekonomike. Ne po krijojmë ndjenjën se kinse jemi të fortë dhe po mundohemi t’i imponojmë bashkësisë ndërkombëtare rregullat tona, e që nuk janë. Ne po harrojmë që bashkësia ndërkombëtare ndaj shteteve që dalin prej sistemit aplikojnë masa ndëshkuese-sanksione edhe sanksionet mundet edhe Bashkimi Evropian, munden edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës individualisht, por edhe Këshilli i Sigurimit. Ne po e harrojmë këtë fakt dhe po sillemi me një eufori triumfuese. Unë jam i zhgënjyer për mos përfilljen ndaj sugjerimeve miqësore të delegacionit të lartë amerikan ndaj Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Arben Fetoshi, profesor universitar, thotë për lajmi.net se momentalisht taksa është kthyer në mjet politik për betejën e brendshme dhe në mekanizëm mbrojtës për dialogun me Serbinë.“Si mjet politik konsiston në dy qëllime kryesore: e para, të pengojë hapjen e korrigjimit të kufirit si zgjidhje eventuale në dialog, dhe e dyta, të bëjë efekt sa më të madh elektoral për kryeministrin në rast të zgjedhjeve të parakohshme. Kjo është arsyeja pse kryeministri Haradinaj nuk pranon të dorëhiqet por sikur po kërkon të rrëzohet. Ndërkaq, si mekanizëm mbrojtës, tarifa pa dyshim që e ka rikthyer vëmendjen ndërkombëtare ndaj Kosovës, derisa qëllimi i saj konsiston në sigurimin e pozitës së barabartë si palë, duke kërkuar që Serbia t’i kthehet dialogut pa kushte”, ka thënë Fetoshi.

Ai ka thënë se kërkesa e vazhdueshme e Amerikës për pezullimin e taksës duhet të merret më seriozisht nga institucionet e vendit, pasi që sipas tij, Kosova nuk guxon të bëhet pala e papërgjegjshme që e refuzon dialogun.“Kërkesa e vazhdueshme e SHBA-së për pezullimin e tarifës duhet të trajtohet me seriozitet maksimal nga qeveria, edhe pse jam i sigurt që as Thaçi, as Haradinaj dhe asnjë tjetër s’mund t’i rrezikojë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Amerikës. Mirëpo, duhet të trajtohet seriozisht sepse Kosova nuk guxon të bëhet pala e papërgjegjshme që e refuzon dialogun. Një pozicion i tillë do të rrezikonte koordinimin me partnerët strategjikë dhe do të ishte fatal në përmbylljen e konfliktit me Serbinë. Për këtë arsye, mendoj se është urgjente që klasa jonë politike, pozitë dhe opozitë bashkë, të ulen e të sqarohen për aspektin gjeostrategjik të zgjidhjes, në mënyrë që të sigurohet e ardhmja e Kosovës në suazat e interesave euro-atlantike. Prandaj, kryeministri Haradinaj do të reflektojë dhe në qoftë se kërkesa e faktorëve ndërkombëtarë është serioze, tarifa do të pezullohet, mirëpo jo duke i dhënë shans të ri Serbisë për lojë me dialogun”, është shprehur Fetoshi për lajmi.net.

Ndryshe që nga 21 nëntori i vitit të kaluar kur Kosova ka marrë vendim për vendosjen e taksës prej 100 për qind ndaj të gjitha produkteve serbe dhe boshnjake, pala serbe ka bllokuar dialogun me Kosovën.Po ashtu heqjen apo pezullimin e taksës në vazhdimësi e kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, për shkak se kjo po shihet si pengesë për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare ligjërisht të obligueshme për të dyja shtetet.