Në takimin që është zhvilluar në zyrën e Presidentit të Kosovës me zyrtarë të lartë të administratës së Trump, nuk ka pasur ndonjë ndryshim të qëndrimit rreth taksës nga ana e Kryeministrit.
Haradinaj ka dalë i pari nga takimi. Ndërkohë që amerikanët dhe Thaci kanë vazhduar të qëndrojnë edhe më tej në Zyrën e Presidentit.
Pak minuta më vonë është përmbyllur takimi mes Thaçit dhe delegacionit.
Kryeministri Haradinaj nuk ka pranuar të tregojë se çka u diskutua në takim, duke thënë se flet nesër.
Takimi ka zgjatur një orë e gjysmë, ndërsa duket se të dërguarit e Trumpit dhe Presidenti Thaci nuk kanë arritur ta bindin shefin e ekzekutivit të heq sanksionet ndaj mallrave serbe.
Në takim nuk ka qenë pjesëmarrës kryeparlamentari Kadri Veseli. Burime të afërta me të i kanë thënë Gazetës Express se Veseli nuk e ka pasur në agjendën e tij një takim të tillë.
Delegacioni i udhëhequr nga John Erath, kryeshef për cështje evropiane në Këshillin Kombëtar të Sigurisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qëndruar në Beograd për dy ditë rresht, para se të vinte në Prishtinë.
Haradinaj ka pasur edhe më herët thirrje dhe takime me zyrtarët e lartë amerikanë për ta hequr taksës. Madje gjatë janarit, atë e kishte telefonuar edhe këshilltari kryesor i presidentit Trump për sigur, John Bolton.
Nga ana tjetër presidenti Thaci nga fillimi ka qenë i gatshëm që të hiqet taksa ndaj Serbisë, duke e akuzuar disa herë kryeministrin Haradinaj se duke këmbëngulur për mosheqje të taksës, po rrezikon raportet me SHBA’në.