Zëdhënësi i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag për politikat evropiane, Florian Hahn, ka thënë se nëse Kosova dhe Serbia pajtohen për ndryshimin e kufijve, atëherë edhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë atë.
Hahn, në një intervistë për DW, ka thënë se me ndryshimin e kufijve duhet të ketë shumë kujdes, por ai pajtohet se nëse dy shtete sovrane, si Serbia dhe Kosova e duan që të ndryshohen kufijtë, atëherë duhet të pranohet.
“Me ndryshimin e kufijve duhet vepruar me shumë kujdes, por personalisht mendoj, dhe ky është mendimi im personal, se kur dy shtete sovrane bien dakord të ndryshojnë një kufi të përbashkët mes njëri-tjetrit dhe kur ato janë në gjendje të mbajnë përgjegjësinë për vendin e tyre, atëherë mendoj se bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë atë”, ka thënë Hahn.
Hahn ka thënë se kjo marrëveshje duhet të sjell njohjen reciproke për Kosovën dhe se kjo të arrihet sa më shpejt pasi vendet e mëdha janë duke e përkrahur këtë.
“Ky është mendimi im personal. Më lejoni ta them përsëri: Nëse dy shtete sovrane bëjnë një ujdi me njëri-tjetrin dhe ata janë në gjendje të mbajnë secili përgjegjësi për vendin e vet, atëherë bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë atë marrëveshje. Ne duam, sigurisht, që kjo marrëveshje të ngërthehet me njohjen reciproke të sovranitetit. Nëse kjo është e lidhur me të dhe nëse vendet e tjera pajtohen me ndryshimin e kufirit, atëherë unë së paku mendoj se kjo marrëveshje nuk ka përse të refuzohet në vend”, ka thënë më tej ai.