• E mërkurë / Jul-09 19:23
  • Kontakt

Edhe Finlanda do marrëveshje të shpejtë Kosovë – Serbi

Edhe Finlanda do marrëveshje të shpejtë Kosovë – Serbi

Ministri i Jashtëm i Finlandës, Timo Soini u ka bërë thirrje Prishtinës e Beogradit të arrijnë një marrëveshje mes vete më shpejtë.

Një gjë e tillë, sipas tij, do t’i ndihmonte shumë Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, e në radhë të parë në Këshillin e Evropës.

“Nëse ka një zgjidhje brenda një kohe të caktuar, jam optimist se nuk do të ketë hezitim të atyre që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, tha ai për Klan Kosova, të martën, në Helsinki.

“Nëse vazhdon një situatë e paqartë, atëherë do të jetë shumë e vështirë dhe gjërat mund të mos ndryshojnë”.

Kryediplomati finlandez tha se i inkurajon të dyja palët të insistojnë për një zgjidhje finale dhe bëri të ditur se këtë ua ka thënë edhe liderëve të të dyja vendeve, gjatë vizitave të mëhershme që ka bërë në Beograd e Prishtinë, në cilësinë e ministrit të Jashtëm të Finlandës.

“Do të ketë një zgjidhje, nëse ka vullnet”, shtoi ai.

Soini i bëri këto komente pas një takimi me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës,Thorbjorn Jagland, kur të dy përfunduan fjalimet hyrëse në konferencën e nivelit të lartë për ndikimin e inteligjencës artificiale në të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundim të ligjit.

Kjo konferencë po mbahet në Helsinki dhe është organizuar nga presidenca aktuale e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës dhe KE-së.