• E mërkurë / Jul-09 05:10
  • Kontakt

Veseli shpeshton goditjet ndaj Haradinajt, i çon porosi nëpërmjet partisë

Veseli shpeshton goditjet ndaj Haradinajt, i çon porosi nëpërmjet partisë

Deri para pak ditësh Kadri Veseli kishte qenë një nga përkrahësit më të fuqishëm të Ramush Haradinajt për vazhdimin e mbajtjes së vendimit për taksë ndaj produkteve me origjinë serbe. Megjithatë duket se thirrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që një vendim i tillë të zhbëhet sepse rrezikon edhe miqësinë Kosovë-SHBA, ka bërë që kreu i Kuvendit të ndryshojë qëndrim.

Në një reagim zyrtar të partisë së tij, Veseli ka kritikuar ashpër kryeministrin Haradinaj, duke i bërë thirrje që të heq dorë nga protagonizmi i një anshëm politik, pasi një gjë e tillë po rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas partisë që drejtohet nga Veseli, pikëpamjet personale janë legjitime, megjithatë vendimmarrja për vendin duhet të jetë në bashkërendim institucional dhe çdo qëndrim zyrtar duhet të jetë vendim shtetëror.

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj për mungesën e theksuar të bashkërendimit dhe bashkëveprimit institucional për çështjet e interesit shtetëror të vendit. Partia Demokratike e Kosovës konsideron se një gjë e tillë është duke e dëmtuar partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pozicionin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Partia Demokratike e Kosovës kërkon që të hiqet dorë nga qasja dhe protagonizmi i njëanshëm politik, i cili po e shpie vendin në krizë politike, në kohën kur sfidat me të cilat përballet shteti ynë kërkojnë unitet kombëtar. Pikëpamjet personale janë legjitime, por qëndrimi zyrtar dhe vendimmarrja për vendin duhet të jenë shtetërore, gjithmonë dhe në çdo rast.Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë i shtetit dhe asnjë vendim nuk ka vlerë pa marrë miratimin e deputetëve të tij”, thuhet në këtë komunikatë.

Ndër të tjera PDK-ja ka bërë thirrje që të hiqet dorë edhe ideja dhe deklarimet për korrigjim të kufijve dhe ka kritikuar ashpër thirrjen e Haradinajt për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, pasi sipas tyre këto ide shpijnë në rrezikun e hapjes së statusit final të Kosovës, i cili është mbyllur përfundimisht me 17 shkurt.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon që të hiqet dorë nga deklarimet për korrigjimin e kufijve.Partia Demokratike e Kosovës kërkon që të hiqet dorë nga deklarimet e thirrjes së një Konference Ndërkombëtare për Kosovën. Kjo ide përmban rrezikun real të rihapjes së statusit final të Kosovës, i zgjidhur përfundimisht me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, si dhe rrezikun e involvimit të Rusisë në proces.Kosova shkon në Dialog vetëm për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, njohjen reciproke, ulësen në OKB dhe përshpejtimin e anëtarësimit në BE dhe NATO”, vazhdon reagimi.

Partia e Veslit ndërkohë ka hedhur kritika edhe në drejtim të partive opozitare, LDK dhe Vetëvendosje, duke i ftuar që të marrin përgjegjësi në këto procese jetike për Kosovën.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon edhe një herë nga forcat politike opozitare që t’i marrin përgjegjësisë shtetërore ndaj vendit, për çka kanë marrë votëbesimin qytetar.

Lidhja Demokratike e Kosovës ta ndalë përdorimin e gjuhës denigruese të zyrtarëve të saj dhe ikjen nga përgjegjësia shtetërore, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje të distancohet nga diskursi i saj anti-shtet dhe ta njohë shtetin e Kosovës”, thuhet në reagim.

Në këtë reagim të lëshuar nga partia e Veselit thuhet se çfarëdo marrëveshje e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të legjitimohet me referendum dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Pozicioni i Partisë Demokratike të Kosovës është i qartë dhe i prerë: Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe çdo vendimmarrje duhet të dalë dhe të legjitimohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në kuadër të delegacionit shtetëror dhe platformës së përbashkët.Në fund, çdo vendimmarrje e arritur në përfundim të Dialogut me Serbinë duhet të legjitimohet nga vullneti i drejtpërdrejtë i popullit të Kosovës me referendum dhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, përfundon reagimi.