Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi është liruar me kusht.
Këtë e ka bërë të ditur për Telegrafin, drejtori i përgjithshëm i burgjeve të Kosovës, Nehat Thaçi.
“Po ish-komandanti Sylejman Selimi është liruar me kusht”, ka thënë shkurt, Thaçi.
Ndërkaq, Sylejman Selimi do të lirohet sot dhe do të jetë nën mbikëqyrje të Shërbimit Sprovues të Kosovës deri më 30 tetor të vitit 2020.
Ndryshe, ish-komandanti Sylejman Selimi ishte arrestuar në maj të vitit 2013 i shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Gjykata Themelore në Mitrovicë më 27 maj 2015 duke u dënuar më 6 vjet burg.
Ndërsa, më 7 qershor 2018 është mbajtur rigjykimi për “Drenica 2”, dhe më 11 qershor është mbajtur për “Drenica 1”. Për këtë edhe avokati i tij, Tomë Gashi pati thënë ditë më parë se pa asnjë të drejtë ligjore po vazhdon të mbahet në burg Sylejman Selimi tash e tre muaj.