Kryetari i Partisë Popullore dhe kryesuesi i Lidhjes për Serbi, Vuk Jeremiq ka deklaruar sot se askush nga liderët e këtij blloku opozitar nuk do të jetë anëtar i qeverisë kalimtare, të cilën po e propozojnë për periudhën pas shkarkimit të qeverisë së Aleksandar Vuçiqit, dhe ka shtuar se për këto vende ka mjaftë njerëz të aftë dhe të ndershëm.
Në konferencë për gazetarë, në të cilën e zyrtarizoi aderimin e shtatë partive, lëvizjeve, sindikatave dhe asociacione të qytetarëve në Lidhje, Jeremiq ka thënë se në këtë moment do të ishte kundër produktive të spekulohet me emra të njerëzve të cilët do ta përbënin këtë qeveri kalimtare.
“Askush nga liderët e LpS nuk do të jetë as kryeministër e as ministër. Ka mjaftë njerëz të aftë dhe të ndershëm, ndërsa puna jonë është të krijojmë rrethanat politike që ata t’i marrin këto vende në qeveri”, ka thënë Jeremiq.
Ai ka shtuar se programi i qeverisë së ardhshme do të bazohet në një program prej 30 pikave, të cilin LpS e ka prezantuar më herët.
“Të gjithë së bashku po punojmë për një qëllim, e ky është ndryshimi i gjendjes së mbrapsht në Serbi dhe kthimin e normalitetit në institucione, medie, shkolla, spitale dhe rrugë”, ka thënë Jeremiq dhe i ka bërë thirrje qytetarëve për protesta të reja të shtunën në Beograd.