• E mërkurë / Jul-09 22:19
  • Kontakt

Ish-sekretari Kerry: Trumpi duhet të japë dorëheqje

Ish-sekretari Kerry: Trumpi duhet të japë dorëheqje

Kur u pyet nga gazetarët në Forumin Ekonomik Botëror se çfarë do t’i thoshte Trumpit sikur të ishte i ulur pranë tij, ish-sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka thënë se do të kërkonte nga ai që të japë dorëheqje nga pozita e presidentit të Shteteve të Bashkuara.

I nominuari i demokratëve për president të SHBA-së në vitin 2004 i bëri këto komente gjatë fjalimit të tij në një panel të Forumit Ekonomik Botëror, i cili po mbahet në Davos të Zvicrës. 

Audienca e këtij forumi, shumica prej të cilëve janë elitë e biznesmenëve, shkencëtarëve dhe udhëheqësve qeveritarë nga e ërë bota, së pari reagoi me të qeshura dhe më pas shumë prej tyre duartrokitën.

Kerry tha se presidenti amerikan nuk i trajton seriozisht çështjet botërore dhe nuk mendon se ai është i aftë për të zhvilluar biseda të thella. Ai gjithashtu tha se vendimi i Trumpit për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit për Klimën do të shkaktojë vdekje të njerëzve.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ishte i ftuar për të marrë pjesë në këtë forum të martën, por ishte tërhequr nga pjesëmarrja për shkak të mbylljes së pjesshme të qeverisë amerikane, e cila tashmë është bërë mbyllja më e gjatë në histori të këtij shteti. 

Shprehja e famshme e Trumpit, “Amerika në rend të parë”, bie ndesh me qëllimin e forumit për një botë më të integruar, shkruan “The Washington Post”.