• E mërkurë / Jul-09 19:35
  • Kontakt

Zbutet Haradinaj, ul pazaret rreth taksës 100%

Zbutet Haradinaj, ul pazaret rreth taksës 100%

“Taksa mund të mbetet përgjithmonë”. “Taksën e kishim hequr sot, po të kishim një marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohje”. “Taksën e heqim nëse BE-ja na ofron një Kapitull të tregtisë së lirë dhe reciprocitet me Serbinë”.

Janë këto disa nga deklaratat e kryeministrit Haradinaj për të njëjtën çështje, të shpalosura në një konferencë për media të martën, pak orë pas takimit me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Ky i fundit nuk ka thënë asnjë fjalë për taksën, për të cilën SHBA-ja ka kërkuar pezullim të menjëhershëm, në mënyrë që t’i jepet shans arritjes së marrëveshjes me Serbinë.

Ndërsa, kryeministri Haradinaj del se e ka ulur pazarin për heqjen e taksës.

Prej kërkesës për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohje të ndërsjellë me Serbinë, kryeministri është lëshuar tek reciprociteti dhe tregtia e lirë me Serbinë, ku pjesë e pakos do të ishte dhe suspendimi i taksës.