Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj ka thënë se dyshon nëse sindikalistët e arsimit po e përfaqësojnë njëmend arsimin.
“Dyshoj se këta të sindikatës së arsimit e përfaqësojnë arsimin. Realisht arsimi as që ka sindikatë. I ka disa njerëz që në emër të arsimit flasin e arsimimi i tyre lë shumë mangut! Prej se i mbaj mend, në çdo fillimviti, këta kërcënojnë me greva dhe gjithmonë kërkojnë pare”, ka shkruar Nitaj.
Nitaj ka thënë se “kurrë nuk është mjaft për arsimin e as për pagat e tyre, por punëtorët e arsimit në Kosovë nuk janë as për një grimcë më keq se sa punëtorët e sektorëve të tjerë publik”.
“Prandaj këta far sindikalistësh është mirë që të zbresin me këmbë në tokë. Sapo kaloi ligji për punëtorët e arsimit të viteve 90-të, sapo janë bërë propozime për rritje pagash tē tyre në ligjin për pagat...e këta hop e në televizor, hop e në grevë! Pagat e mësuesve në Kosovë, janë ndër më të lartat në rajon dhe nuk jam aspak kundër që të rriten edhe më, por gjithçka në kohën e vet!”, ka thënë Nitaj.