• E mërkurë / Jul-09 08:09
  • Kontakt

A po dëshiron Isa Mustafa që sërish të futet në gjirin e Kadri Veselit

A po dëshiron Isa Mustafa që sërish të futet në gjirin e Kadri Veselit

Nga takimi i fundit i madh i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me Grupin e vet Parlamentar, del një dëshirë e Isa Mustafës për t’u bashkuar në një Qeveri me të parin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli.

Kryetari Isa Mustafa dhe LDK’së duket se dëshiron sërish të futet në gjirin e Kadri Veselit, i cili një vit e gjysmë më parë e kishte rrëzuar atë nga posti i Kryeministrit të Kosovës, në mungesë të vendimmarrjes për Demarkacionin dhe me kërkesën amerikane.

Këtë disponim, Mustafa e ka shfaqur hapur, të hënën, në një konferencë për media, kur qartazi bëri të ditur qëndrimin për përfshirjen e LDK’së në një Qeveri të rikonfiguruar, si kusht për t’iu bashkuar Dialogut Kosovë-Serbi.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e ka platformën dhe dokumentin bazë lidhur me Dialogun. Orientimi ynë në atë dokument është se duhet të shkohet në zgjedhje, në mënyrë që të fitohet legjitimiteti politik. Nëse nuk shkohet në zgjedhje, duhet të mendohet në rikonfigurim total të qeverisjes, ose të institucioneve të tanishme të vendit, në mënyrë që të sigurohet përfaqësimi i domosdoshëm i cili do të mundësonte ratifikimin e Marrëveshjeve”, ka thënë Isa Mustafa.

Gatishmëria për t’u bërë pjesë e Qeverisë dhe Dialogut, pa zgjedhje, është qëndrim i ri i LDK’së.

Fillimisht, partia e Isa Mustafës kishte kërkuar shkuarjen e menjëhershme në zgjedhje të jashtëzakonshme, në mënyrë që të ketë institucione të reja, me legjitimitet politik, që e drejtojnë Dialogun.

Pastaj, zyrtarë të kësaj partie, deklaruan se jo domosdoshmërisht duhet të shkohet urgjentisht në zgjedhje, në mënyrë që të marrin pjesë në Dialog, por se kjo çështje mund të zgjidhej qoftë edhe me vetëm një marrëveshje mes partive politike për dakordim të caktimit të datës së zgjedhjeve, transmeton Gazeta Metro.

Tash, LDK duket se ka hequr krejtësisht dorë nga zgjedhjet dhe marrëveshja për zgjedhjet dhe kërkon të bëhet pjesë e Qeverisë që aktualisht udhëhiqet nga PDK, AAK dhe Nisma.

Kryeministri Ramush Haradinaj, duke komentuar këtë ofertë të LDK’së për t’u bërë pjesë e Qeverisë dhe Dialogut, ka thënë se Isa Mustafa e di çfarë ka dashur të thotë dhe ka kërkuar një shpjegim më të gjerë prej tij.

“LDK’ja është e mirëseardhur me marrë përgjegjësi në vend. Sa i përket qeverisjes, unë s’kam të drejtë me e dhanë një mendim të tillë, sepse jam në koalicion dhe do të konsultohem me partnerët e koalicionit se çka mendojnë për një opsion të tillë”, ka thënë Haradinaj.

“Ai e di çka ka dashtë me thanë. Mundet me na ndihmu me ndonjë shpjegim, se zor me e paragjyku kështu”, ka shtuar ai.

Kadri Veseli dhe Partia Demokratike e Kosovës, ndërkaq, ende nuk e kanë komentuar këtë gatishmëri të Isa Mustafës dhe LDK’së për t’u bërë pjesë e Qeverisë.

LDK më së shumti e akuzon PDK’në për zhvillimet në vend dhe e sheh si kundërshtarin kryesor, por më së shpeshti ka bashkëqeverisur me të.

Tash, kur sondazhet po e nxjerrin keq LDK-në, duket se ajo e ka ndërruar kursin me PDK’në.

Se a do të ndodhë sërish një bashkim i tyre, mbetet të shihet.