• E mërkurë / Jul-09 14:03
  • Kontakt

Pak para vizitës së tij në Serbi, Putin sulmon SHBA’në në lidhje me Ballkanin

Pak para vizitës së tij në Serbi, Putin sulmon SHBA’në në lidhje me Ballkanin

Pak para vizitës së tij në Serbi, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka hedhur akuza ndaj SHBA’së në lidhje me Ballkanin. Presidenti rus ka akuzuar SHBA’në se, sipas tij, po destabilizon Ballkanin.

Ai ka folur për gazetat serbe ‘Vecernje Novosti’ dhe ‘Politika’. Aty ai ka vënë theksin te bombardimet e NATO’s gjatë luftës më 1999 dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008, dhe ka lëshuar akuza ndaj SHBA’së se me përpjekjen e tyre për të shtrirë dominimin, po shkaktojnë destabilitet në Ballkan.

“Për sa kohë që situata në Ballkan është shqetësuese, politika e Shteteve të Bashkuara dhe disa kombeve perëndimore, që synojnë të shpallin rolin e tyre dominues, mbetet një faktor serioz destabilizimi këtu”, citohet të ketë thënë Putin.

Gjithashtu, ai përmendi edhe zgjerimin e NATO’s me vende të Ballkanit si Mali i Zi, për të cilin vend tha se është tërhequr zvarrë drejt anëtarësimit në NATO,  duke shtuar se si pasojë vendi po kalon në përiudhë të destabilitetit politik. Por, SHBA dhe vendet e tjera kanë akuzuar Rusinë për përpjekje për puç në vendin malazez, me qëllim për të penguar anëtarësimin e saj.

Gjithashtu, dihet që Rusia është përpjekur të ndikojë në opinionin publik në Republikën e Maqedonisë Veriore në lidhje me marrëveshjen me Greqinë.

Putin tha se Rusia gjithmonë e ka parë politikën e zgjerimit në NATO si reminishencë të Luftës së Ftohtë dhe si strategji destructive ushtarake dhe politike.

Ndryshe, nesër Putin viziton Serbinë. Ndër të tjerash, pritet që në këtë takim krerët e dy shteteve të nënshkruajnë mbi 20 marrëveshje si shenjë e raporteve të ngushta mes tyre.