Në Serbi ka kohë që qytetarët e kanë kuptuar se shkaktare e jetesës e tyre të mjerueshme është pikërisht autokracia e kryetarit Aleksandar Vuçiq së bashku me Partinë e tij Përparimtare Serbe. Për këtë arsye tashmë gjashtë javë një numër i qytetarëve nëpër gjithë Serbinë po proteston kundër qeverisjes autokrate të Vuçiqit.
Megjithatë, përkundër arsyeve të mira, protestat masive mungojnë. Përse? Të fillojmë prej atyre për të cilët konsiderohet se janë në pozitë më të mirë, ata të cilët punojnë për shtet.
Të punësuarit në qeverinë shtetërore, në sistemin e mbrojtjes sociale, sistemin arsimor dhe në përgjithësi në firmat shtetërore, ata të cilët marrin rrogë prej shtetit – janë pjesë e të punësuarve më të privilegjuar në Serbi. Emëruesi i tyre i përbashkët është punëdhënësi i tyre – shteti.
Sipas disa vlerësimeve, çdo i dyti punësuar në Serbi, punon për shtet. Përparsia e tyre e vetme është siguria relative e punësimit dhe rrespektimi i Ligjit të Punës. Nuk është shumë lehtë të pushohesh nga puna dhe brenda natës të mbetesh në rrugë, nëse punëdhënës është shteti.
Megjithatë, këto përparësi nuk janë diçka për çka duhet pasur zili. Politizimi i mbrojtjes sociale dhe arsimit ka sjellë deri te burokratizimi i paparë i afarizimit. Pasi këto punë i ndahen shokëve partiak më të merituar, natyrisht kualifikimi është në rendin e dytë – punët administrative po shumohen. Njëkohësisht, kjo mundëson shpërndarje të përgjegjësisë deri në atë masë saqë është gati e pamundur të merret vesh se çka është kompetenca dhe përgjegjësia e kujt. Për të gjitha punët administrative, përgjegjës janë të gjithë dhe askush. Në të vërtet, sipas nevojës përgjegjës bëhet ai i cili është politikisht më së paku i përshtatshëm.
Dezintegrimin e gjithëmbarshëm të sistemit mundëson edhe paaftësia e kuadrove, shumë shpesh nëpër pozita udhëheqëse, sepse kriteri i selekcionimit është lojaliteti ndaj regjimit. Pasi janë të vetëdijshëm për statusin e tyre të privilegjuar, kuadrot të sjellë për shkak të meritave partiake nuk ndiejnë nevojë të punojnë.
Të punësuarit për shtet, përveç që nuk protestojnë për shkak të frikës që do të mbeten pa punë – nuk protestojnë edhe për shkak se organizimi sindikal për mbrojtje të të drejtave dhe interesave të punëtorëve gati nuk ekziston. Përndryshe sindikata kryesore të disa organizatave punuese është partia kryesore në Serbi. Mbështetja kryesore e këtij regjimi është pikërisht kontrolli i këtij grupi të punësuarve dhe për këtë, mungesa e rezistencës në mes të punësuarve shtetërorë nuk befason.
Afarizmi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, nga aspekti i të punësuarve, shënohet me gati shkelje absolute të Ligjit të Punës. Shumica punojnë “në të zezën”, puna jashtë orarit nuk paguhet, e përveç kësaj nuk ekzistojnë as kushtet elementare për punë, por prej të punësuarve pritet që të kryhet çfarëdo pune në përgjithësi. Fitimet në sektorin privat, janë më të ulta se të atyre që punojnë për shtet. Nëse “te shteti” rrogat janë 400 – 500 euro, në sektorin privat janë dyfish më të vogla, shumë shpesh paguhen me rrogë minimale apo ndonjë dinarë më shumë.
Këta njerëz do të protestonin, mirëpo nuk janë të lidhur në mes veti, apo nuk kanë interesa të përbashkëtadhe nuk kanë asnjë resurs që këtë ta ndryshojnë. Protestat për zvogëlimin e tatimeve sipas rregullit janë të vizituara në numër të vogël e edhe më pak janë të vizituar nga mediet. Protestat e të punësuarve “te privatistët” janë të pakuptimtë edhe për mungesë të kohës dhe energjisë për çfarëdo aktiviteti përveç mbijetesës.
Grupi i tretë është ai cili kishte mundur të jetë iniciator i protestave e janë pensionistët dhe studentët. Si edhe dy grupet e para, edhe këta kanë arsye serioze për pakënaqësi masovike dhe reagim të organizuar. Pensionet janë zvogëluar, gjë që është praktikë e panjohur në shtetet moderne dhe të zhvilluara. Ta kesh statusin e pensionistit nuk është më çështje e fitimit të kësaj drejte – pas pagesës së premisë së sigurimit pensional gjatë gjithë jetës, por se shkatërrohet sistemi pensional nga themeli. Me këtë të punësuarve aktualë i dërgohet mesazhi i qartë se nuk ka kuptim që në kështu të planifikohen të ardhurat e pleqërisë, sepse u bë e mundur që struktura e këtyre të ardhurave të rrënohet për shkak të vendimi dhe vullnetit të politikës ditore.
Përveç disa shtetjeve sporadike nëpër rrugët e kryeqytetit, organizimi politik i pensionistëve nëpër partinë e cila, së paku deklarativisht angazhohet për të drejtat e tyre – përfundon në koalicion me partinë në pushtet!
Nga ana tjetër, studentët në Serbi të cilët në fakultetet shtetërore e paguajnë shkollimin më së shumti se në rajon e edhe më gjërë, ndërsa në ato private nuk marrin kurrfarë dije – nëse protestojnë, këtë e bëjnë vetëm për përmirësimin e gjendjes së tyre dhe vetëm për interesa të tyre.
Çdonjëri nga këto grupe grupohet sipas emëruesit më të vogël të mundshëm, mirëpo bëhet fjalë për dallimet e mëdha dhe grupet e llojëllojshme të njerëzve. Nuk mungon vetëm solidariteti, mungon edhe vetëkuptimi i të gjithë këtyre njerëzve.
Derisa shumica mendojnë se “janë nxjerr” me pak fat që nuk i përkasin kategorisë së të pastrehëve të cilët jetojnë nga bamirësia, pra, derisa mendohet “se mund je jetë edhe më keq” – do të jetë gjithnjë e më keq.
A janë të mundur protestat si të “Xhaketave të Verdha” në Serbi?
Zhelko Veselinoviq, kryetari i Unionit të Sindikatave të Serbisë “Slloga”, thotë për gazetën beogradase “Danas” se organizimi i demonstratave të ngjashme me ato në Francë është “misoni i pamundur në Serbi”.
“Të gjithë jemi dëshmitarë se sa njerëz kanë dalë në protesta me rastin e rritjes së çmimit të karburanteve në Paris, dhe nëpër qytetet tjera në Francë. Një herë kam qenë present në një manifestim të Një Majit në një qytezë të Francës ku prej 10.000 banorëve në tubimin sindikal kanë dalë madje 5.000 veta. Gjithashtu në Greqi… Nga ana tjetër të përkujtojmë se si përfunduan protestat në Serbi për shkak të çmimit të lartë të karburanteve. Si ia nisën policët të shkruajnë dënime kundërvajtëse për vetura të cilat e kishin bllokuar trafkun, ato u larguan nga rruga dhe protesta përfudoi.
Për fat të keq, populli në Serbi nuk ka dëshirë e as vullnet për protesta masive me të cilat do të mbronin të drejtat e tyre më elementare dhe pikërisht kjo është arsye përse është Serbia vendi me shkallën më të ulët të standardit në rajon. Thjesht, shumë pak të punësuar janë të gatshëm të dalin nëpër rrugë dhe me demonstrata ta mbrojnë ekzistencën e vet”, pretendon Veselinoviq.
Mirëpo Ivan Zlatiq, kryetar i Unionit Socialdemokrat, beson se protesta masive si ajo në Francë është e mundur edhe në Serbi.
“Absolutisht është reale që kryengritje sociale me përmasa të gjëra mund të ndodhë në Serbi. Mbetet vetëm të shihet se për cilën çështje sociale do të realizohet ky skenar. Edhe te ne ka pasur protesta kundër çmimeve të larta të benzinës të cilat nuk kanë qenë masive, por kjo kurrqysh nuk do të thotë se nuk do të vijë deri te të tjerat të cilat do të jenë masive. Kushtet për këtë në Serbi, e cila është më e varfër se Franca, gjithsesi ekzistojnë”, pretendon Zlatiq.
Arsyeja për protesta masive në Francë nuk është vetëm çmimi i lartë i benzinës. Problemi është shumë më i thellë sepse ekzistojnë një sërë të çështjeve të pazgjidhura sociale. Kjo çfarë po ndodhë në Francë dhe në disa vende tjera të Evropës është një shembull i mirë për pushtetmbajtësit në Serbi se nëse çështjet aktuale sociale nuk zgjidhen në mënyrë adekuate nëpër institucione, atëherë zgjidhja e tyre do të kërkohet me ndonjë mënyrë tjetër”, thekson kryetari i USD.
Letrër për Vuçiqin
Protestat “Stop këmishëve të përgjakura”, dhe me parullën “Një prej pesë milionëve”, po mbahen tashmë të shtunën e gjashtë me rrallë, ndërsa shkak për këtë ishte sulmi në njërin nga liderët e Unionit për Serbi dhe kryetarin e Të Majtës së Serbisë Borko Stefanoviq.
Organizatorë e protestës “Stop këmishëve të përgjakura” i kanë shkruar kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiq se e ka marrë mandatin të jetë kryetar i gjithë qytetarëve, e jo t’i qërojë hesapet me të gjithë ata të cilët guxojnë të mendojnë.
“Ju doni të keni vartës, e jo qytetarë, dhe për këtë sot keni kolona të atyre të cilët nuk duan të jetojnë në shoqëri të cilën ju po e krijoni”, shkruan në letër.
Ata gjithashtu kanë pretenduar se e kanë të qartë se Vuçiqi iu ka bërë me dije se në Serbi ekzistojnë qytetarë, prindër dhe fëmijë të rendit të dytë.
“Të gjithë ata të cilët guxojnë të thonë lirshëm çfarë mendojnë shndërrohen në armiq dhe duhet të mbyten në baltën e tabloideve tuaja”, pretendohet në letër.
Gjithashtu pretendohet se çdo ditë pushteti po krijon armiq të rinj.
“Dikur ata kanë qenë Sllavko Çuruvija dhe Oliver Ivanoviqi, e sot ne jemi caku Juaj. Sot ne jemi narkomanë, mercenarë të huaj, tradhtarë”, pretendohet më tutje në letër.
Ata e kanë pyetur Vuçiqin se a po dënohen sepse kanë guxuar të tregojnë se çfarë parregullsie po mbretëron dhe që i kanë organizuar protestat e qytetarëve, të cilët kanë treguar se nuk i frikësohen atij.
“A po na dënoni për atë se kërkojmë që të respektohen ligjet dhe që të gjithë qytetarët të kenë të drejtat e njëjta? A po i dënoni prindërit tanë sepse na kanë mësuar të mendojmë lirshëm? A po i dënoni gjyshet dhe gjyshërit tanë të cilët na kanë mësuar që gjithmonë ta mbajmë kokën lartë?”, kanë pyetur në letër.
Organizatorët e protestës e kanë pyetur Vuçiqin se a janë familjet e tyre dhe njerëzit të cilët shëtisin për të qytetarë të rendit të dytë?
Ata gjithashtu e kanë pyetur Vuçiqin se a është ai redaktor i gati të gjitha medieve në Serbi?
“Nuk jemi ne të rëndësishëm. E as protestat nuk janë bërë për shkak nesh. Protestat janë përgjigje e qytetarëve për sundimin Tuaj, dhunën e përditshme dhe për të pavërtetën. Është koha ta kuptoni se nuk mund të frikësoni pesë milionë qytetarë, e me të as asnjërin nga ne. Ne e kemi të vërtetën në anën tonë, ndërsa Ju gjithë të tjerat”, kanë porositur organizatorët e protestave “Stop këmishëve të përgjakura”.
Në prag është koha e artë
Vetëm me një shkim sipërfaqësor në lajmet në Serbi, krijohet përshtypja e jashtëzakonshme. Shumica e medieve të cilat janë nën kontroll të Udhëheqësit Suprem raportojnë se si serbët jetojnë në botën më të mirë prej të gjitha botërave, rrogat po rriten, pensionet po i përcjellin në hap, papunësia po bie, dinari është gjithnjë e më i fortë, Serbia është në rrugë të mirë, ndërsa koha e artë vetëm se nuk ka filluar. Gjithë kjo tingëllon diçysh e njohur dhe tashmë e parë.
Këtë fotografi idilike pakëz e ka prishur kollapsi në trafik i shkaktuar me borë, e cila ra befasisht dhe pa kurrëfarë paralajmërimi, ndërsa shërbimet e pastrimit të borës tradicionalisht janë befasuar që bora ka rënë në mes dimrit, trafiku urban në Beograd tërë ditën nuk ka funksionuar, qytetarët kanë depërtuar këmbë nëpër borë për të shkuar në punë, duke kaluar pranë autobusëve të cilët kishin ngecur në borë dhe akull, shkruan gazeta “Danas”.
Mirëpo, për fat, të nesërmen zëvendësi i kryebashkiakut të Beogradit Goran Vesiq, anëtarë besnik i PPS të Vuçiqit, i kumtoi qytetarëve se nuk ka pasur kurrëfarë kollapsi dhe se qytetarët nuk duhet të jenë naivë e t’i besojnë disa fotografive dashakeqëse nga rrjetet sociale, kur është më mirë të besojnë në fjalët e tij. Edhe kjo deklaratë e Vesiqit tingëllon diçysh e njohur, si duket Serbia vërtetë është në prag të epokës së artë të propagandës së Sllobodan Millosheviqit dhe të JUL-it. E pastaj pasuan edhe lajmet tjera, të cilat e forcuan përshtypjen qytetarëve që diçka nuk është në rregull.
Vesiq nuk i sulmoi vetëm fotografitë e poshtra të cilat e falsifikojnë realitetin impresiv serb, por iu vërsul edhe karikaturave. Konkretisht në karrikaturën e Dushan Pertçiqit të publikuan në revistën NIN, në të cilën janë paraqitur Vesiq dhe Aleksandar Vuçiq se si një fëmiu në një dhomë të mjerë të spitalit i tregojnë prej dritares dritat vezulluese të Vitit të Ri, krenarinë e Beogradit të Partisë Përparimtare. Sulmit të Vesiqit ndaj karikaturës iu bashkëngjitë edhe i pashmangëshmi ministri i mbrojtjes Aleksandar Vulin, i cili shkumboi se karikaturisti për shkak të urrejtjes ndaj Udhëheqësit Suprem po gjuan me baltë gjithë Serbinë.
Qërim hesapesh i të fuqishmëve me një karikaturë? Tingëllon si temë e mirë për ndonjë karikaturist. Dhe përkujton në kohën e Millosheviqit, sidomos në fazën e fundit të saj. Pastaj pasojnë lajmet tjera armiqësore. Llogaria e ministrisë së Vulinit në minus, profesori Lubomir Maxhar i ka paraqitur të dhënat që tregojnë se ekonomia e Serbisë është në rritje më të ulët në Europë, se Serbia është në maje të shteteve më të korruptuara në botë dhe se sipas nivelit të të ardhurave sipas banorit gjendet në një prej vendeve të fundit në Evropë, gjë që e ka nervozuar shumë kryeministren Ana Bërnabiq, sepse ajo është ekstremisht jo rezistente në fakte.
Gazeta britanike “Financial Times” në një shkrim për politikën aktuale të Serbisë konsideron se forcat perëndimore janë aq shumë të interesuara të shohin marrëveshjen në mes të Kosovë dhe Serbisë saqë po përmbahen ta kritikojnë prapavajtjen e demokracisë në Serbi, ku zërat kritike janë përjashtuar në një masë të madhe, ndërsa retorika e dhunës është në rritje.
Gazeta pretendon se Vuçiqi, derisa ka qenë ministër i Millosheviqit i informatave i ka shqiptuar dënime marramendëse medieve të cilat e kanë kritikuar Millosheviqin. FI më tutje pretendon se Vuçiq hedh poshtë akuzat e opozitës se shërbimi publik RTS nuk i jep kohë të mjaftueshme zërave kritike.
“Kanë kohë në RTS aq sa askush nuk ka pasur në peridhën e mëparshme. Janë të pranishëm, ku e di unë, të hënë, të martën, të enjten. Nuk di çfarë duan ata”, ka thënë Vuçiq dhe ka shtuar se problemi është se ata “gjithmonë ankohen në medie”.
A e meriton populli serb udhëheqjen që e ka?
Në fakt, nuk është e vërtetë se Serbia nuk ka pasur alternativë të shndërrohet në një shoqëri demokratike qysh në vitet e nëntëdhjeta, por vet populli është deklaruar për ata të cilët premtonin lufët dhe urrejtje.
Historiani, profesori dhe intelektuali kulminant Ivan Gjuriq u kandidua në vitin 1990 në zgjedhjet presidenciale si kandidat i përbashkët i Unionit për Iniciativë Demokratike Jugosllave dhe Lidhjes së Forcave Reformiste të Jugosllavisë të Ante Markoviqit. Ai atëbotë fitoi 5,5 për qind të votave. Qytetarët, normalisht, me shumicë të madhe votuan për Millosheviqin, i cili premtonte luftë dhe villte urrejtje ndaj fqinjëve. Lidhja Qytetare e Serbisë, partia e vetme e cila ishte vërtetë kundër luftës dhe ka vepruar në Serbi në vitet e nëntëdhjeta, gjithmonë ka mbetur në margjinë, shumica e qytetarëve nuk donin as të dëgjojnë për të.