“Kemi mbledhur dhe kemi dorëzuar plot dëshmi, të cilat flasin për ndërlidhjen e drejtpërdrejtë të njerëzve nga struktura komanduese me krimet”, ka thënë Odalovic për RTS-në.
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së punëve të jashtme të Serbisë Veljko Odalovic ka thënë sot se është ‘shumë me rëndësi’ që në Hagë janë ftuar edhe pjesëtarët e strukturës komanduese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ka shtuar se pret që akuzat e para ‘për krime ndaj serbëve’ së shpejti ‘do ta shohin dritën e ditës’, transmeton Gazeta Metro.
“Kemi mbledhur dhe kemi dorëzuar plot dëshmi, të cilat flasin për ndërlidhjen e drejtpërdrejtë të njerëzve nga struktura komanduese me krimet”, ka thënë Odalovic për Radiotelevizionin e Serbisë, duke folur për Grupin punues për mbledhjen e dëshmive mbi ‘krimet e UÇK-së’.
Ai, sipas medieve serbe, ka thënë se mbi statusin e të ftuarve në Hagë do të vendosë Prokuroria e veçantë, por për disa është “i sigurt se nuk do të jenë dëshmitarë”.
Në pyetjen se a do të arrijë hetimi edhe deri të presidenti dhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj dhe te disa funksionarë të lartë në Prishtinë, Odalovic ka thënë se beson në këtë, por se a do të procesuohet ndonjëri prej tyre varet nga “fuqia” e atyre të cilëve në ata trupa specialë u është besuar mandati.
“Edhe për shoqërinë kosovare është me rëndësi që personat të cilët janë të lidhur me krime lufte të hiqen nga skena politike”, ka thënë Odalovic.
Sipas Odalovicit, ekzistojnë dëshmi të numërta për krimet e bëra, duke thënë se qindra serbë e joshqiptarë të tjerë kanë qenë në burgjet të cilat i ka mbajtur UÇK-ja.
“Pres edhe shumë hetime mbi krimet, të cilat duhet të procesuohen dhe të ndriçohen”, ka thënë Odalovic, duke përmendur si shembull “Shtëpinë e verdhë”, në të cilën serbët supozojnë se u janë marrë organet civilëve të rrembyer serbë.
Duhet përkujtuar, ndërkaq, se ndër vetë përfaqësuesit e drejtësisë ndërkombëtare është thënë se nuk ka dëshmi se ka ndodhur trafimi me organe njerëzore