Nesër vendoset për pasurinë e Burdushit

Nesër vendoset për pasurinë e Burdushit

Gjatë ditës së nesërme pritet të mbahet seanca gjyqësore për shqyrtimin e konfirmimit të ndalimit të përkohshëm( sekuestrimin) të pasurisë së mjekut popullor, Hysri Peqani i njohur si “Burdushi”.

Seanca është paraparë të mbahet nesër duke filluar nga ora 13:00.

Seanca do të mbahet në bazë të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prizren për lëshim të urdhrit për ndalim afatgjatë për pasurinë e konfiskuar nga “Burdushi”.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prizren, po vazhdon të intervistojë dëshmitarë në cilësinë e të dëmtuarve në rastin e mjekut popullor, Hysri Peqani i njohur si “Burdushi”.

Prokurori përgjegjës për media, Petrit Kryeziu, ka thënë se në prokurori po paraqiten dëshmitarë të tjerë të cilët e ndjejnë veten të dëmtuar në lidhje me rastin e “Burdushit”.

“Ne kemi pasur në këtë rast të dëmtuar që nga fillimi i procedurës, mirëpo në ndërkohë gjatë hetimeve janë paraqitur dhe po vazhdojnë të paraqiten edhe qytetarë të tjerë të cilët e ndjejnë veten të dëmtuar, në mënyrë që të njëjtit të mund të realizojnë kompensim të dëmit në fund të  kësaj procedure penale”, tha Kryeziu.

Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi” është arrestuar në nëntor të vitit të kaluar.

Policia e Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prizren kishte bastisur shtëpinë e “Burdushit” nën arsyetimin për shmangie nga tatimi dhe mashtrim.