Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, e ka lavdëruar yllin argjentinas të skuadrës së tij, Lionel Messin, duke thënë se cilësia më e mirë e tij është ndjenja e përgjegjësisë që ai e mban kundrejt bashkëlojtarëve të tij.
Messi cilësohet si një ndër futbollistët më të mirë të të gjithë kohëve, pasi ka arritur t’i fitojë 32 tituj gjatë karrierës së tij me gjigantin spanjoll, Barcelonës, si dhe pesë herë u shpërblye me Topin e Artë, transmeton Gazeta Express.
Kapiteni i Barcelonës e përfundoi vitin 2018 me 51 gola të shënuar, dy më shumë se rivali i tij, Cristiano Ronaldo. Gjatë pjesës së parë të këtij sezoni, ai i shënoi 15 gola në vetëm 15 ndeshje të La Ligës, si dhe gjashtë gola në katër ndeshje të Ligës së Kampionëve.
Argjentinasi gjithashtu i ka bërë 10 asiste gjatë këtij sezone dhe i ka ndihmuar kështu Barcelonës ta sigurojë vendin e parë në tabelën e La Ligës, ku katalonasit qëndrojnë tre pikë larg klubit në vendin e dytë, Atletico Madridit.
Por, përkundër të gjitha këtyre cilësive të jashtëzakonshme të argjentinasit, trajneri i tij Valverde e konsideron si cilësinë më të mirë të tij përgjegjësinë që ai e mban drejt ekipit si dhe shpirtin konkurrues të tij.
“Ajo që do të doja ta theksoja më së shumti për Leo Messin është përgjegjësia e madhe që ai e mban për ekipin. Kjo gjë është e dukshme në çdo ndeshje të çfarëdo gare”, ka thënë Valverde për BarcaTV.
“Ajo që e bën Messi jo vetëm që është shumë e vështirë, por ai arrin ta bëjë këtë përsëri e përsëri... Për ta bërë këtë gjë kërkohet një fuqi madhështore mendore. Nuk e kam njohur asnjëherë dikë tjetër me një shpirt konkurrues kaq të mrekullueshëm”.