“Syri i Popullit”, prokuroria po analizon deklaratat e Thaçit e Veselit për Albin Kurtin

Prokurori Special, Sylë Hoxha ka folur në lidhje me deklaratat e dhëna nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi në gjykimin e të akuzuarve në rastin e

Prokurori Special, Sylë Hoxha ka folur në lidhje me deklaratat e dhëna nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi në gjykimin e të akuzuarve në rastin e ‘Syrit të Popullit’.

I pyetur nëse do të hetojë deklaratat e dhëna nga presidenti Thaçi në gjykimin e të akuzuarve si anëtarë të ‘Syrit të Popullit’, se Albin Kurti e Glauk Konjufca qëndrojnë së bashku me Sadri Ramabajën prapa organizatës ‘Syri i Popullit’, Hoxha ka thënë se do të presin procesverbalin e seancës.

Unë e kam dëgjuar një deklarim të tillë, por ne duhet të presim procesverbalin si shënim zyrtar i seancës dhe pastaj do të analizojmë se çfarë mund të bëjmë në drejtim të zbardhjes së këtyre deklaratave dhe të shohim se a ka ndonjë element për të nisur hetim apo jo, pasi që deklaratat janë thanë para gjykatës dhe para auditoriumit të pranishëm”, ka thënë Hoxha.

Presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, deputeti Faton Topalli, e ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ishin personalitetet të cilat ishin dëshmitarët e sotëm në rastin e gjykimit të grupit të njohur “Syri i Popullit”, të cilët akuzohen për plagosjen e Azem Vllasit.

Presidenti Hashim Thaçi gjatë dëshmisë së tij kur ishte pyetur se kush janë themeluesit e “Syrit të Popullit”, ka përmendur emrat e Albin Kurtit, Sadri Ramabajës dhe Glauk Konjufcës.

Dëshminë i pari e filloi Xhavit Haliti, i cili është në mesin e shumë personave të cilët janë gjetur në një listë për likuidim, e cila pretendohet se është hartuar nga organizata “Syri i Popullit”.

Lidhur me organizatën “Syri i Popullit”, Haliti tha se ka dëgjuar nga gazetat, e kur u pyet nga prokurori Special, Sylë Hoxha nëse ishte kërcënuar ndonjëherë nga kjo organizatë, ai tha se disa herë kishte marrë kërcënime nga “Syri i Popullit”.

“Kam pas kërcënime disa herë. E fundit ka qenë një grup që ka dashtë me ba një atentat ndaj meje dhe fatmirësisht miqtë e mi e kanë zbulu por kërcënimet para luftës, gjatë dhe pas luftës kanë qenë të shumta nga të pakënaqurit me veten e tyre”, tha Haliti

Xhavit Haliti u pyet edhe nëse i bashkëngjitet ndjekjes penale ndaj të akuzuarve, lidhur me çka ai tha se është i pajtimit “që krimi të ndiqet penalisht”.

E njëri nga të akuzuarit Avni Llumnica, gjatë seancës, e pyeti Xhavit Halitin se a ka marrë pjesë në të kaluarën në demonstrata “për shtet me rend dhe ligj apo për kolltuk dhe një pagë të majme”.