Refuzimi për ta kthyer në vendin e punës ish drejtorin e Auditimit të Brendshëm, Hysni Selmanaj, i ka kushtuar të parit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, me aktakuzë.
Që nga maji i vitit 2017 kur është ngritur aktakuza, Gjykata nuk ka arritur ta mbajë akoma shqyrtimin fillestar për shkak të mos paraqitjes së Muhaxherit në gjykatë.
Sot gjatë ditës pritet që Policia me detyrim ta ulë Kryetarin Muhaxheri në bankën e të akuzuarit për t’u përballur me akuzën e mosekzekutimit të vendimit gjyqësor, pasi që në qershor të këtij viti Gjykata kishte urdhëruar që Kryetarin e Pejës ta sjellë me detyrim në gjykatë, raporton kallxo.com.
Prokuroria Themelore në Pejë, në maj të vitit 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj të parit të Pejës, pasi ai ka refuzuar që ta zbatoje vendimin e plotfuqishëm të gjykatës së Apelit për ta kthyer në vendin e punës ish drejtorin e Auditimit të Brendshëm, Hysni Selmanajn.