Ish-bashkëpunëtori i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, Muhamet Hamiti, ka komentuar letrën e presidentit amerikan, Donald Trump drejtuar presidentit të vendit, Hashim Thaçi ku theksohet nevoja për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë.
“Ka pasë deklarime dhe përpjekje të udhëheqësve, edhe të Kosovës edhe të Serbisë, për të gjetur një zgjidhje, siç e kanë quajtur ata. Në Samitin në Alpbach, të dy [Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq] dolën me një ton gati entuziast, me një koreografi të hatashme, që gati po duan ta gjejnë zgjidhjen por po presin që të mos i pengojë askush”.
“Bën thirrje, të dy, që të mos ndërhyjë pala e tretë sepse do të gjejnë zgjidhje vetë”
“Suksesi i Kosovës në këto 20 e më shumë vjet ka qenë në luftën e saj politike dhe ushtarake, përkrahja e madhe e SHBA-ve, NATO-s, miqve të tjerë në Evropë dhe pranisë ndërkombëtare, kjo përpjekje për ta përzënë Bashkësinë Ndërkombëtare nga përpjekjet e Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje ka qenë e rrezikshme”.
“Pas këtyre thirrjeve sidomos në Beograd ndaj ndërkombëtarëve që mos na ndërhyni se ne gjejmë zgjidhje vetë, deklaratave të Aleksandar Vuçiq në atë Samit ku dy-tri herë i drejtohej panelit ku ishte Hashim Thaçi, që nuk ka kufij, ne nuk i dimë kufijtë prandaj duhet t’i caktojmë kufijtë, nuk doli asnjëherë Hashim Thaçi të thotë se Kosova ka kufij”.
“Dukej se kishte një lloj pajtimi për të diskutuar këtë çështje – është kërkuar nga miqtë tanë që ta ulin pazarin rreth Kosovës, të pranojnë zgjidhje që është një kompromis i mëtejmë për Kosovën, që do ta çojë Kosovën drejt jofunksionalitetit”.
Hamiti në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se Kosova ka bërë mjaftueshëm kompromise, andaj nuk duhet të pranojë të bëjë një gjë të tillë më.
“Kosova në dy vitet e negociatave për statusin, procesi i Vjenës dhe Ahtisaarit, ka bërë kompromise të pashoqe që ju japin pakicave, serbëve dhe të tjerëve, të drejta të mëdha edhe të drejta të vetos, në fusha të caktuara”.
“Ne e kemi pranuar, mishëruar në Kushtetutë, e realizojmë dhe zbatojmë ndërsa ata përfitojnë prej saj, nuk e zbatojnë dhe na shkaktojnë probleme”.
“Po të bëjmë kompromise të reja, edhe për organizimin e brendshëm, ku do të shkojmë – një shtet jofunksional”.
Ai ka deklaruar po ashtu se ideja e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për bahskangjiten e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ishte një tallje me inteligjencën e shqiptarëve.
“Është argument i Hashim Thaçit që njohja nga Serbia, qoftë edhe me këtë korrigjim të kufijve është përrallë – të thuhet se njohja e Serbisë na siguron vend në OKB, a thua se Serbia paska tagër të detyrojë Rusinë dhe Kinën të lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB”.
“Hashim Thaçi, në muajt e verës dhe gjithë vjeshtën, fillimisht ka folur për pamundësi që Serbia ta njohë në kufijtë aktualë, duke shtuar se po ta kuptojmë ne Luginën e Preshevës do të na njohë Serbia”.
“Kjo ishte një tallje me inteligjencën e shqiptarëve sepse shqiptarët janë më inteligjentë se e dinë që prekja e kufijve nuk do të shkonte thjesht në rritje të territorit për Kosovën që t’ia bëjë të mundshme Serbisë që të na njohë – ishte hapje e derës për diskutim për ndryshimin e kufijve por edhe mund të çojë në zvogëlim, dobësim të substancës së shtetësisë së Kosovës”.
“Në këto 10 vjet, ky establishment i udhëhequr nga Hashim Thaçi praktikisht e ka katandisur Kosovën keq – shtet jofunksional në veri, rënie e imazhit të Kosovës në rrafsh ndërkombëtar, madje forcimi i Serbisë, kurse ata po lavdërohen dhe kanë të drejtë të thonë se ia dolëm si pjesë e këtyre bisedave në Bruksel që të bindim një pjesë të Bashkësisë Ndërkombëtare se çështja e Kosovës nuk është e zgjidhur”.
Hamiti ka folur edhe për presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova duke thënë se ai edhe në kohërat më të vështira ka ditur t’i ruajë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Është e vërtetë që presidenti Ibrahim Rugova ka qenë burrështetas, tani nuk kemi burrështetas fatkeqësisht. Rugova ka udhëhequr Kosovën në kushtet më të vështira dhe madje edhe kur kemi qenë në okupim, kërkesa dhe përcaktimi i tij ka qenë Kosova e pavarur si zgjidhje kompromisi”.
“Tash ne kemi Kosovën e pavarur, shtet dhe udhëheqësit tanë bëjnë lëshime, me deklarata serioze, pa hyrë ende në proces tamam, koncesionet e njëanshme, nuk është serioze”.
“SHBA në atë kohë angazhoheni për kthim të autonomisë së Kosovës, Rugova nuk hiqte dorë nga pavarësia e Kosovës, edhe me këto dy qëndrime divergjente, Rugova ia ka dalë dhe ka mbajtur marrëdhënie me SHBA-të”.
“Nuk është e thënë të jesh i nënshtruar për të pasë marrëdhenie me SHBA-të, është e thënë të kesh argumente që Kosova e pavarur me zgjidhjet që ka tani është zgjidhje e optimumit që nuk duhet lejuar që ta dobësojmë me kompromise të tjera që do ta çojnë Kosovën drejt jofunskionaliteti”.
Madje, ai ka mohuar se presidenti Ibrahim Rugova ka qenë pro idesë së korrigjimit të kufijve duke thënë se intervista që kishte dalë në publik, me një deklaratë të tillë, ishte jashtë kontekstit dhe ishte çautorizuar nga vetë Ibrahim Rugova.
“Janë qindra deklarata, është një rast i një bisede me një bashkëpunëtor, Blerim Shala, që ka gërmuar për të gjetur një frazë të thënë shkarazi, edhe ashtu e ç’autorizaur nga Ibrahim Rugova sepse ajo ka dalë përtej qëndrimeve të tij sistemime”.
“Rugova ka qenë për Kosovën e pavarur në kufijtë e atëhershëm dhe të tanishëm. Ka qenë kundër prekjes së kufijve, e ka ditur se çdo përpjekje e serbëve për ta zhbërë identitetin e Kosovës ka qenë të hyjnë ta ndajnë”.