Një qëndrim unifikues rreth versionit me të cilin Kosova do të prezantohej në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë e synojnë partitë në pushtet këtë javë.
Por nuk kanë treguar nëse do të dominojë opsioni i proklamuar nga presidenti, që është në konflikt me dokumentet e propozuara nga Qeveria dhe Ekipi shtetëror.
Derisa Qeveria pritet t’ia procedojë Kuvendit Ligjin për dialogun, sipas propozimit të PSD-së, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thirrur për të mërkurën një tryezë rreth së cilës synon t’i ulë presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj, Ekipin negociator të bashkëkryesuar nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, si dhe përfaqësuesit e dy partive kryesore opozitare që nuk janë pjesë e Ekipit- Lidhjen Demokratike dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
Por, këto subjekte kanë theksuar se refuzojnë t’i përgjigjen ftesës së Veselit. LDK-ja dhe LVV-ja do të kërkojnë seancë të jashtëzakonshme këtë javë, në lidhje me dokumentin gjithëpërfshirës të propozuar nga Qeveria, të cilit synojnë t’i kundërvihen me një propozim-rezolutë.
Burime të gazetës brenda koalicionit kanë thënë se uniteti synohet të mbërrihet në takimin e ftuar nga Veseli, gjatë kësaj jave, para se të miratohet një dokument zyrtar në Kuvend rreth dialogut.