Sot e quan “media kazani”, para 20 vitesh e quante “ulluk”

Çfarë mendonte Edi Rama i 20 viteve më parë për median

Ishte koha kur Edi Rama sapo ishte propozuar nga kryeministri Fatos Nano si ministër i Kulturës.

Ai ishte në pritje të dekretimit nga presidenti i kohës, Rexhep Meidani.

Emri i Ramës në qeverinë Nano u prit me shumë zhurmë në media. Pikërisht këtë zhurmë, Edi Rama e komentonte në një intervistë për “Koha Jonë”, kur e quante veten “mish i freskët për topin  e shtypit shqiptar”.

Intervista gjendet në gazetën “Koha Jonë” e 23 prillit 1998.

“Nëse vërtetë unë jam ministri më i përfolur, ma ha mendja se kjo mund të vijë ngase jam një mish i freskët për topin e shtypit shqiptar, i cili nuk bën, dhe ndoshta, nuk ka sesi të bëjë përjashtim nga realiteti mbytës i thashethemnajës shqiptare, bile, është një ulluk goxha i gjerë prej nga mund të shkarkohen tërë reshjet e gjuhëve, që në vend se të flasin parapëlqejnë të përflasin. Kaq për shtypin. Sa për ecejaket e emrit tim në rrugë orale, gojë më gojë e vesh më vesh, unë nuk besoj se përbëj ndonjë përjashtim nga të tjerët, kur janë shfaqur papritur në shtigjet e kuriozitetit tonë provincial. Tërë sa thash hyn në normalitetin e përditshëm të vendit tonë të vogël, ku të gjithë njohin të gjithë dhe nuk gjejnë kohë për të njohur vetveten, ku të gjithë merren me të gjithë dhe nuk gjejnë kohë të merren me vetveten, ku të gjithë e kanë të vështirë të pajtohen me këdo e çfarëdo që, mirë a keq, shquhet sadopak, qoftë edhe për një çast të vetëm, në horizontin rrafshues dhe njehsues të vizionit tonë për Tjetrin e për bashkëjetesën në një komunitet të gjallësh, të cilin as vetë e zgjodhëm e as të vetmuar nuk mund ta bëjmë më të jetueshëm dhe më pak asfiksues”, thoshte asokohe Edi Rama.