Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se letra e dërguar nga Presidenti i SHBA-së, Donald drejtuar Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi tregon interesimin e tij për zgjidhjes së problemit përmes kompromisit.
Vuçiq ka thënë se letra e Trump drejtuar Kosovës flet për tre gjëra, njëra prej të cilave tregon se Washingtoni është i interesuar për ta zgjidhur këtë çështje, shkruan AlJazeera..
“Letra tregon se në tërë këtë proces është i përfshirë Presidenti i SHBA-së për herë të parë, çka nënkupton se një mekanizëm i madh do ta përkrahë arritjen e një zgjidhjeje” ka thënë Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se nuk pajtohet me atë që Trump e ka thënë në letër se bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë janë në fazën finale.
“Trump ka thënë se kemi hyrë në fazën e fundit. Nuk mund të pajtohem plotësisht me këtë. Nuk mendoj se jemi afër zgjidhjes” ka thënë ai duke theksuar se duket që “SHBA ka intensifikuar përpjekjet për arritjen e zgjidhjes”.
Në këtë proces, sipas kreut serb duhet të përfshihen edhe faktorë të tjerë si Rusia, Evropa, Kina dhe OKB “për të ditur se çfarë është në tavolinë dhe se për çfarë jemi duke diskutuar dhe se çfarë mund të arrihet”.