Krasniqi: LDK i ndërron qëndrimet më shpesh se moti në Kosovë – moti ndërron dy herë n’ditë

Pas përfundimit të Mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Memli Krasniqi ka sulmuar LDK’në...

Pas përfundimit të Mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Memli Krasniqi ka sulmuar LDK’në si partinë më të madhe opozitare që s’po merr përgjegjësi në dialogun me Serbinë.

“Unë s’kom më mendim për qëndrime të LDK’së, pasi qëndrimet e tyre ndërrojnë më shpejt se moti në Kosovë. E moti në Kosovë ndërron dy herë brenda ditës. Është fatkeqësi që s’po guxojnë me marr përgjegjësi shtetërore, si partia më e madhe opozitare. Mendoj që dikur do të bëhen pjesë e këtij procesi, pasi cdo marrëveshje ndërkombëtare duhet të ketë votat e 2/3 të Kuvendit. Të gjitha partitë duhet të jenë pjesë e këtij procesi. Sa i përket projektligjit, ai do të prezantohet sot, dhe më pas do të përfundojnë procedurat për miratimin e tij”, ka thënë Krasniqi.

Tutje, ai ka thënë se PDK e mbështet thirrjen e kësaj seance të jashtëzakonshme.

“Siç e dini, sot është thirr seancë e jashtëzakonshme. Është seancë e cila ka për qëllim miratimin e rezolutës për dialogun me Serbinë dhe ekipin e delegacionit shtetëror. Si PDK e kemi mbështetur thirrjen e seancës, pasi në mënyrë konsistente konsiderojmë se është e rëndësishme të arrihet konsensusi që të shkohet përpara në këtë proces. Nuk është proces i kompletuar, pasi një pjesë e opozitës refuzon të marrë përgjegjësi. Sot do të ikin përsëri nga kjo përgjegjësi, varësisht që e kemi një seancë. Deputetët do të vinë në seancë, për t’i dhënë mbështetje këtij procesi”, ka thënë tutje Krasniqi.