Dështimi opozitar është i dukshëm dhe sipas Ilir Dedës, bashkëthemelues i Alternativës, po bëhet për fajin e vetë partive opozitare të cilat nuk po janë të gatshme ta kundërshtojnë idenë për ndarje të kufijve.
Ilir Deda kishte lutur dy grupet më të mëdha opozitare për ta kundërshtuar idenë e presidentit Hashim Thaci përmes daljes në rrugë dhe organizimit të protestave. As Vetëvendosja e as LDK nuk pranuan.
“E kam lut Vetëvendosjen dhe LDK-në, nuk ka qenë negociatë, ia kam shtruar njerëzve vendimmarrës, ‘hajde po dalim në rrugë, hajde po dalim në rrugë’. LDK ka thanë që ‘nuk janë pjek kushtet’ e këtë nuk e kuptoj sepse nëse s’janë pjek kushtet kur hapet sovraniteti i Kosovës atëherë nuk e di se kur hapet ndërsa Vetëvendosja ka qenë e kënaqur me protestën e 29 shtatorit, kanë thënë se e ndalën Thaçin”, ka thënë Deda.
“Njerëzit kanë frikë prej dialogut me Serbinë, të gjithë, prej partisë teme e tutje sepse luajtja e Thaçit me shtetësi ka shkaktuar panik edhe janë inatet. Vazhdoj me pa që bashkëpunimi politik ka të bëjë me tema të caktuara e nëse për shtetësi të Kosovës partitë politike nuk arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët atëherë faleminderit shumë”.
“Kur i ke të gjitha mundësitë, i ki 82% të popullit kundër, atëherë s’duan në rrugë, s’duan në Kuvend atëherë çka po duan. Këto janë qyfte”.
Sipas Dedës, janë bërë të gjithë “Thaçi” të vegjël pasi sipas tij, Thaçi është ai që bën ashtu siç do ai dhe kushtëzon çdo gjë për t’u bërë siç do ai.
Marrëveshja Thaçi – Vuçiq nuk të jetë asgjë tjetër përpos spastrim etnik dhe kjo sipas deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda është vetëm marrëveshje e Dobrica Qosiq. Sipas tij, është pikërisht presidenti i vendit, Hashim Thaçi që synon të jetësojë një ide të tillë.
“Sot e shoh që Thaçi është shumë më afër realizimit të projektit të tij se sa që jemi ne tjerët. Ai është pesë hapa përpara dhe kur ta sheh këtë situatë, unë kam thënë shumë herë, që kjo ide është përcaktuese, pra është për fatin e Kosovës”, ka thënë Deda.
“Jemi në situatë ku asnjë projekt politik i tanishëm nuk do të vlejë në një Kosovë të ndarë sepse do të jetë shtet tjetër. Duke u ndarë Kosova, veç pjesa e mbetur do të jetë në një konflikt brenda shqiptarë sepse si do të mund t’u thuash shqiptarëve në veri se kemi hequr dorë prej juve, si t’u thuash serbëve të jugut se çohuni e ecni në Serbi. Ky është spastrim etnik”, ka thënë ai
Zhgënjimi prej politikës që ai e shpalosi në Facebook thotë Deda vjen si rrjedhojë e akumulimit të veprimeve të vazhdueshme për ta ndalur presidentin Thaçi.