Një grup satanik e ka vendosur statujën e vet në mesin e shumë statujave tjera në ndërtesën qeveritare të shtetit Illinois, si pjesë e shënimit të periudhës së festave. E vendosur mes një bredhi dhe një mbajtëse qirinjsh, në statujë paraqitet një gjarpër i mbështjellë rreth një dore njeriu që mban një mollë.
Kjo statujë është financuar nga Tempulli i Satanit, përmes degës së tij në Çikago. Qeveria ka deklaruar se tempulli e ka të drejtën për ta paraqitur statujën e vet, njësoj si grupet tjera fetare. “Sipas Amendamentit të Parë të kushtetutës, njerëzit kanë të drejtë që t’i shprehin ndjenjat dhe mendimet e tyre”, tha Dave Druke, sekretar shtetëror i Illinoisit.
Tempulli i Satanit është themeluar në vitin 2012. Ata e përshkruajnë veten si grup ateist që synon ta rrisë bamirësinë dhe ndjeshmërinë te njerëzit. Sipas tyre, shteti duhet të jetë i ndarë nga kisha sepse vetëm në këtë mënyrë mund të zbatohet drejtësia praktike. Ekzistojnë 15 degë të tyre zyrtare në Shtetet e Bashkuara.
Ky grup e kishte paditur “Netflix”-in dhe “Warner Bros”-in për shkak të përdorimit të statujës së tyre në një program televiziv, duke kërkuar 50 milionë dollarë si dëmshpërblim, shkruan “The Guardian”