• E mërkurë / Jul-09 16:43
  • Kontakt

Vuçiq tregon se çfarë diskutoi me komisionerin Hahn në takimin dy orësh

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe komisioneri Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, kanë diskutuar rreth dy orë.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe komisioneri Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, kanë diskutuar rreth dy orë.

Përreth dy orë ka zgjatur takimi në mes të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe komisionerit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn.

Siç shkruajnë mediat serbe, në këtë takim është diskutuar për taksën doganore prej 100 për qind që Kosova ka vendosur për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës si dhe për stabilitetin në rajon.

Pas këtij takimi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka paralajmëruar komisionerin Hahn, për pasojat e mundshme të veprimeve të Kosovës për vendosjen e taksës doganore.

Sipas Vuçiqit, vendosja e kësaj takse është shkelje e marrëveshjes së CEFTA-s dhe se me këtë taskë doganore të vendosur nga Kosova mund të çojë në destabilizimin e plotë të të gjithë rajonit si dhe mund të çojë në përshkallëzimin më të thellë të konfliktit.

Siç njofton Presidenca e Serbisë, Vuçiq e ka falënderuar komisionerin Hahn që e ka kuptuar situatën dhe që ka shprehur gatishmërinë për të zgjedhur problemin dhe për të ndihmuar Serbinë në rrugën e saj evropiane, duke theksuar se çelësi për të ecur përpara është ruajtja e paqes dhe stabilitet në rajon.

Po ashtu është bërë e ditur në këtë njoftim se, Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun me Kosovën vetëm pas tërheqjes së taksës.

“Serbia dëshiron të mbetet një partner i besueshëm në rajon, Evropë dhe në botë, prandaj edhe nuk do të bëj asnjë lëvizje kundërthënëse”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Në anën tjetër, Komisioneri Evropian për Zgjerimin Johannes Hahn, ka thënë se, stabiliteti afatgjatë kërkon pajtim dhe marrëdhënie të mira fqinjësore. Ai po ashtu ka ofruar mbështetje të plotë për përpjekjet për të zgjidhur krizën në mënyrë paqësore, duke respektuar normat e së drejtës ndërkombëtare si dhe marrëveshjet rajonale të arritura.

Pas takimit me presidentin Vuçiq, komisioneri Hahn është nisur për në Kosovë ku pritet të zhvillojë takime me krerët e shtetit dhe me përfaqësuesit e opozitës mirëpo, nuk dihet nëse Hahn do të takohet edhe me deputetët e Listës Serbe të cilët që nga dita e djeshme janë “ngujuar”, në zyrat e tyre në Kuvend në shenjë proteste kundër taksës doganore që ka vendosur Kosova për mallrat serbe.

Po ashtu depuetët serbë kanë shprehur dëshirën që të takohen me komisionerin Hahn dhe për nga afër ta njoftojnë atë për situatën e krijuar mirëpo, pavarësisht kërkesës akoma nuk është konfirmuar nëse Hahn do t’i takojë ata.