Pacolli - homologut të tij boshnjak: Ju e ofenduat vendim tim

Pacolli - homologut të tij boshnjak: Ju e ofenduat vendim tim

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj homologut të tij boshnjak Igor Crnadak, të cilit ndër të tjerash i tha se Bosnja e ka ofenduar Kosovën.

Këto deklarata Pacolli i bëri gjatë qëndrimit në Budvë të Malit të Zi, ku po mbahet takimi i ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor.

Mësohet se ky reagim i Pacollit erdhi kur homologu i tij boshnjak e kritikoi Kosovën për taksën 100%, të cilën Qeveria e Kosovës e ka vendosur ndaj prodhimeve serbe. Me këtë rast Pacolli ka reaguar duke ia përmendur Crnadakut mosnjohjet dhe kufizime që Bosnja ka vendosur ndaj Kosovës.

“Ju e keni ofenduar vendin tim, por ne ju respektojmë juve dhe Bosnjën. Na trego, sa kamionë i lejoni të hyjnë në Bosnjë? Asnjë. A e respektoni dokumentacionin tonë, i cili e shoqëron mallin nga Kosova në Bosnjë? Jo, nuk i pranoni e as nuk i respektoni. A i njihni vulat tona? Jo nuk i njihni. A mund të vijnë kamionët tanë në BiH me tabela të Kosovës? Jo nuk mund të vijnë”, ka thënë Pacolli.

Pacolli po ashtu i tha Crnadakut se përkundër kësaj, Kosova nuk po tregon reciprocitet ndaj Bosnjës ndaj këtyre kufizimeve.

“Ne i pranojmë mallrat tuaja, dokumentacionin dhe vulën tuaj, ne i pranojmë kamionët e pasaportat tuaja, i kemi pranuar të gjitha këto. A e di Igor, se edhe ju duhet ta respektoni faktin që Kosova është shtet i pavarur, i cili është pranuar nga dy të tretat e shteteve të botës dhe ju duhet ta respektoni këtë. Në të ardhmen ne duhet të kemi vetëm reciprocitet”, ka thënë Pacolli.

Pas kësaj, Pacolli i ka thënë homologut boshnjak se ai mund të vijë sa herë të dojë në Kosovë