Qeveria hesht përballë vakuumit institucional në veri

Qeveria hesht përballë vakuumit institucional në veri

Që nga 27 nëntori, kur katër kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, kanë dhënë dorëheqje dhe kanë pushuar, siç kanë thënë ata, punën e vetëqeverisjeve lokale sipas sistemit të Kosovës, Qeveria e Kosovës ende nuk ka reaguar lidhur me këto dorëheqje.

Liderë të partive opozitare dhe deputetë opozitarë vlerësojnë se ekzekutivi i vendit po sillet me papërgjegjësi ndaj zhvillimeve në veri.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se "sjellja, veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë dhe të Kuvendit” pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të lartë institucionalë, “po bëhen pjesë e projektit të ndarjes së veriut të Kosovës”.

“Po shihet qartë se Presidenti nuk është i vetëm në idenë e tij për korrigjim të kufijve. Është e papranueshme që për efekte populiste e të fushatës të rrezikohet integriteti territorial dhe ushtrimi i pushtetit në terë territorin e vendi”, ka shkruar Mustafa, duke shtuar që institucionet, sipas tij “të papërgjegjshme”, duhet të japin dorëheqje dhe të shpërndahen.

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, anëtar i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë duket qartë që në terren ekziston një përshkallëzim i situatës, së cilës i ka kontribuar edhe dorëheqja e katër kryetarëve të komunave veriore të vendit.