Edhe pas kërkesës së SHBA-ve, Qeveria nuk tërhiqet nga vendimi për taksën 100 për qind ndaj Serbisë

Sekretari i Shtetit amerikan, Mike Pompeo është takuar dje me presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Pas takimit të përbashkët, Pompeo ka kërkuar nga autoritetet kosovare që të shfuqizojnë vendimin për taksën 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Mirëpo edhe pas kësaj kërkese, qeveria e Kosovës nuk do të tërhiqet nga ky vendim.

Këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi ka thënë për lajmi.net se më parë zhbëhet Qeveria sesa tërhiqen nga ky vendim.

“Jo nuk do ta tërheqim vendimin. Më parë bjen Qeveria sesa që hiqet vendimi për taksën 100 për qind ndaj Serbisë”, ka thënë Arifi.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën 100 për qind ndaj Serbisë është marrë në mbledhjen e fundit më 21 nëntor.

Kujtojmë se edhe Bashkimi Evropian ka kundërshtuar këtë vendim të Qeverisë dhe ka kërkuar tërheqjen e menjëhershme.

Ndërkohë serbët e Mitrovicës së veriut kanë paralajmëruar sot se do të mbajnë një protestë në kundërshtim të këtij vendimi.