Rritja e taksës nga 10 në 100 për qind ndaj importit të mallrave me prejardhje nga Serbia e Bosnja për në Kosovë, rrjedhimisht mund të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve të produkteve bazë për jetesë.
Rritja e taksës nga 10 në 100 për qind ndaj importit të mallrave me prejardhje nga Serbia e Bosnja për në Kosovë, rrjedhimisht mund të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve të produkteve bazë për jetesë. Vendosja e kësaj mase, nga institucionet e Kosovës po shihet si reciprocitet ndaj agresivitetit të Serbisë në planin e jashtëm diplomatik, shkruan lajmi.net.
Vendimi në fjalë, po përkrahet edhe nga opozita, mirëpo të njëjtit kërkojnë që të ketë qëndrueshmëri nga institucionet e Kosovës, dhe të mos ketë kthim prapa.
Vendim që ndikon në rritjen e çmimeve të produkteve bazë për jetesë
Selatin Kaçaniku, nga shoqata për mbrojtjen e konsumatorit, thotë për lajmi.net, se tregu në Kosovë nuk ka qenë i përgatitur për vendimin e Qeverisë.
Megjithatë, shton ai, i njëjti duhet të përkrahet nga bizneset vendore.
“Tregu në Kosovë nuk ka qenë i përgatitur për këtë vendim. Mirëpo megjithatë, ne duhet ta përkrahim. Vendime të tilla është dashur të merren shumë më herët”, ka thënë ai.
Siç thotë Kaçaniku, në preambulën e Kushtetutës së Serbisë, Kosova cilësohet si pjesë e tyre, andaj sipas tij të gjithë ata që kanë importuar mallra nga ky shtet i kanë kontribuar edhe kësaj teorie.
Sipas tij, një vendim i tillë nuk është marrë më herët për shkak se vetë këto kompani kanë qenë financuese të partive politike.
Masat e ndërmarra nga Institucionet për parandalimin e rritjes enorme të çmimeve
Se mund të ketë rritje të çmimeve, po e thotë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.
Sipas tij, nëse në treg ka mungesë të sasisë së lëndës së parë të produkteve bazë, atëherë mund të vije deri tek rritja e çmimeve.
“Sot kemi një takim me bizneset, përfshirë edhe bizneset që e importojnë këtë lëndë të parë, për t’i analizuar të gjitha mundësitë. Normalisht tregu e përcakton çmimin, nëse kemi mungesë të sasisë atëherë edhe mund të kemi rritje të çmimeve, por jemi duke punu vazhdimisht edhe me bizneset që të gjejmë alternative”, ka thënë ai për lajmi.net.
Siç thotë Rukiqi, reagimet e tregut mund të jenë të çuditshme mirëpo edhe spekulative.
“Unë jam në kontakt edhe me odat ekonomike të vendeve të caktuar të cilat mund të jenë alternativa në mënyrë që të reagojmë më shpejtë në rast të mungesës së ndonjë sasie. Normalisht nuk mund të prejudikojmë reagimin e tregut në çfarëdo mase, qoftë ekonomike qoftë politike, sepse tregu mund të jetë edhe spekulativ edhe i çuditshëm”, ka thënë tutje ai.
Se do të ketë masa ndaj atyre që shfrytëzojnë vendimin e Qeverisë dhe bëjnë rritje të pabaza të çmimeve, e ka paralajmëruar dje edhe ministri i Tregtisë, Endrit Shala.
Ai ka thënë se inspektorati do të jetë në veprim qysh nga dita e sotme që të evidentojë parregullsi eventuale.
Konsistenca e institucioneve në vendimin për taksën
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se masa ndaj Serbisë nuk do të hiqet deri në njohjen e pavarësisë.
“Derisa Serbia të njeh Kosovën shtet të pavarur dhe Sovran nuk do t’i heqim këto masa. Do të na jepet ndonjë çmim si kundërvlerë, mirëpo nuk do të ishte mirë të hiqen këto masa”, ka thënë ai.
“Pa një qasje të tillë do të ishte e pamundur të arrihet një marrëveshje. Nëse nuk e kemi një qëndrueshmëri, po heqim dorë nga vetvetja”, ka shtuar ai”, ka deklaruar Haradinaj.
Kujtojmë, se për të njëjtin vendim të Qeverisë së Kosovës, ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.
Ata kanë kërkuar heqjen e menjëhershme të masës së importit.