Franca kthen në ligj luftën kundër “fake news”, dënimet deri 75 mijë euro

Franca kthen në ligj luftën kundër “fake news”, dënimet deri 75 mijë euro

Franca do të ndalojë me ligj lajmet e pavërteta, të njohura si “Fake news”.

Ligji i presidentit Macron, që u miratua nga parlamenti, parashikon burg dhe gjoba për ata që keqinformojnë. Por kritikët po e shohin atë si një armë për te censuruar mediat.

Parlamenti francez ka miratuar një ligj të ri, që u jep gjyqtarëve më shumë kompetenca për të urdhëruar heqjen e lajmeve të rreme gjatë fushatave elektorale. Kritikët argumentojnë se ligji kontradiktor kundër manipulimit të informacionit, në praktikë mund të vërë në rrezik demokracinë dhe të censurojë shtypin. Ligji, i hartuar nga presidenti Emannuel Macron, ishte hedhur dy herë poshtë nga Senati përpara se të miratohej nga Parlamenti. Ai konsiderohet si përpjekja e parë e Europës perëndimore për të ndaluar publikimin e materialeve të falsifikuara. Macron ka deklaruar se beson se përdorimi i internetit ka nevojë për një rregullore. “Ky është kushti bazë për një internet të hapur, të lirë dhe të sigurt, ashtu sikurse ishte vizionuar nga themeluesit e tij”, tha Makron në forumin vjetor për qeverisjen e internetit, të mbajtur në Paris.

Kandidatët dhe partitë politike tani do të mund t’i drejtohen gjykatës për të ndaluar përhapjen e informacioneve të rreme gjatë 3 muajve përpara zgjedhjeve. Ligji i lejon gjithashtu entit rregullator mediatik francez të ushtrojë autoritetin për të pezulluar transmetimin e kanaleve televizive të kontrolluara nga një shtet i huaj, që përmes keqinformimit synojnë cenimin e procesit zgjedhor. Mbështetësit kanë deklaruar se synimi i ligjit është të luftojë përhapjen e atyre që njihen si “fake news” dhe jo të censurojë opinionin. Kushdo që e shkel atë mund të përballet me 1 vit burg dhe një gjobë që shkon deri në 75 mijë euro.