Trump kërcënon sërish për mbylljen e kufirit me Meksikën

Donald Trump kërcënoi sërish sot se do të mbyllë të gjithë kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës.

Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi sot se do të mbyllë kufirin SHBA-Meksikë nëse qeveria e tij nuk arrin të vë nën kontroll dyndjen e emigrantëve pa dokumente që kërkojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Një masë e tillë do të ndërpriste një marrëdhënie tregtare mes dy shteteve me vlerë 1.68 miliardë dollarë në ditë.

Komentet për gazetarët Trumpi i bëri nga vendpushimi i tij në Mar-a-Lago të Floridës, ku po kalon festën e Falënderimeve. Ai ripërsëriti gjithashtu pohimet e sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis të bëra të mërkurën, se trupat amerikane në kufirin me Meksikan janë autorizuar të përdorin forcë vdekjeprurëse nëse do të ishte e nevojshme për të mbrojtur agjentët e patrullës kufitare prej atyre që do të kalonin kufirin.

Komentet pasuan një bisedë telefonike që presidenti Trump zhvilloi me trupat amerikane që shërbejnë në rajonin e Azi-Paqësorit, telefonatë që ndodh në mesin e kritikave se ai nuk ka vizituar trupat që nga momenti që mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.