KFOR-i demanton Vuçiqin: Nuk e kemi ndaluar ROSU-në të hyjë në veri

KFOR-i demanton Vuçiqin: Nuk e kemi ndaluar ROSU-në të hyjë në veri

Zëdhënsi i KFOR-it, Vincenzo Grasso e ka demantuar presidentin i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha sot se KFOR-i i ka ndalur të hyjnë në veriun e Mitrovicës forcat speciale të Policisë së Kosovës, ROSU'

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha sot në një takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova se ka marrë informacione nga KFOR-i se ata i kanë ndalur të hyjnë në Mitrovicën e Veriut, forcat speciale të Policisë së Kosovës, ROSU.

“Pak para morëm vesh se KFORI i ka ndaluar Forcat e Sigurisë së Kosovës në hyrje të veriut dhe për këtë i falënderojmë”, ka thënë Vuçiq.

Takimi i jashtëzakonshëm i Vuçiqit me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës

Zëdhënsi i KFOR-it, Vincenzo Grasso e ka demantuar këtë deklarim.

“Nuk ka pasur asnjë tentim të Policisë së Kosovës, të asnjë njësie të saj, pra as të ROSU-s që të hyjnë në Veri të Mitrovicës. Kësisoj KFOR-i nuk ka pasur arsye të ndalojë askënd”, ka thënë Grasso për Insajderin.

Ai ka demantuar edhe deklarimin e presidentit serb se situata në Mitrovicë të Veriut është e tensionuar dhe se serbët atje po ndihen të rrezikuar.

Zëdhënsi i KFOR-it i ka thënë Insajderit se situata në Veri të Mitrovicës është e qetë dhe se asnjë incident e asnjë provokim nuk është duke ndodhur atje.

“Ne mund të themi me siguri të plotë që situata krejt e qetë, pa tensione dhe se gjithcka po zhvillohet normalisht. Për këtë arsyej edhe ju sigurojmë se KFOR-i do të jetë këtu për të siguruar që situata të vazhdojë të mbes e qetë”, ka thënë Grasso.