Këtë vendim Gjykata Themelore e Prizrenit ia ka shqiptuar si dënim plotësues, pasi e gjeti fajtor për veprat penale të mashtrimit dhe e dënoi me 1 vit burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Peqanit iu shqiptua “Dënim plotësues ku i ndalohet ushtrimi i profesionit, veprimtarisë së pavarur dhe i detyrës së caktuar në kohëzgjatje prej 3 (tre) vjetësh”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Hysri Peqani, mjeku popullor i njohur si ‘Burdushi’, është dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit me 1 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, për veprën penale mashtrim.
Gjykata e shkallës së parë e ka gjetur fajtor Burdushin për veprën penale të mashtrimit, aktakuzë kjo e vitit 2015.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Burdushi akuzohej se nga data 20.06.2014 deri me 12.08.2014 në Prizren, duke i fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, ose për t'i shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e të dëmtuarit.
Sipas kësaj aktakuze, Gjykata Themelore Prizren e gjeti fajtor për veprën penale të ngarkuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren.
Gjyqtari i rasti, Mehmet Ndrecaj, me rastin e shpalljes së vendimit, theksoi se nga provat dhe shkresat e lëndës është provuar fakti se i akuzuari ka kryer veprën penale të mashtrimit.
Kallxo.com ka raportuar për bastisjen e Policisë dhe Prokurorisë së Prizrenit javën e kaluar në shtëpinë e Burdushit.
Bastisja fillimisht ishte kryer nën dyshimet fillestare për dy vepra penale, shmangie nga tatimi dhe për veprën penale të mashtrimit.
Por, pas bastisjes dhe provave të gjetura, ndaj Burdushit, tashmë Prokuroria e Prizrenit, po heton në drejtim të 4 veprave penale, madje mashtrim, veprim i kundërligjshëm i veprimtarisë, shmangie nga tatimi, dhe armëmbajtje pa leje.