Telefonat fiks shënojnë rënie çdo herë e më shumë, njerëzit e përdorin vetëm për të marrë internetin

Shqiptarët po përdorin gjithmonë e më pak telefonin fiks

Shqiptarët po përdorin gjithmonë e më pak telefonin fiks dhe pjesa më e madhe e atyre që e kanë një linjë të tillë preferojnë ta kenë të integruar shërbimin edhe me internet. Të dhënat e fundit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare tregojnë se numri i përdoruesve të telefonisë fikse u tkurr edhe më tej në tremujorin e tretë të këtij viti në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Numri i pajtimtarëve të linjave të telefonisë fikse në fund të tremujorit të tretë 2017 ishte rreth 246 mijë, që përbën një rënie me 0.03% në krahasim me T2 2017 dhe një rënie me 3.4% në krahasim me T3 2016” thuhet në raportin e AKEP.

Por krejt e kundërta ka ndodhur me ata që kanë një telefon fiks dhe lidhje internet përmes tij. Sipas AKEP numri i pajtimtarëve më akses Broadband në internet nga rrjete fikse në T3 2017 arriti në rreth 288 mijë, që përbën një rritje me 2.9 % në krahasim me tremujorin e mëparshëm dhe një rritje me rreth 9.9% në krahasim me të nijetin tremujor në vitin 2016.

Në fakt tendenca është për integrim të shërbimeve ku përfshihet përveç internetit edhe paketat televizive. Konkretisht numri i pajtimtarëve të rrjeteve fikse që kanë akses në shërbime të integruara (Telefoni/Internet/TV) në fund të 3-mujorit të dytë 2017 arriti në rreth 199 mijë, një rritje kjo 2.3% në krahasim me T2 2017 dhe rreth 12.1 % me T3 2016.

“Numri i pajtimtarëve me paketa trefishe (Telefoni, Internet dhe TV) përbën 50% të totalit të pajtimtarëve me paketa të integruara ndërsa 39% janë me paketa “Internet dhe Telefoni” dhe 11% me paketa “Internet dhe TV”. 69% e pajtimtarëve me akses broadband në rrjete fikse në fund të T3 2017 ishin pajtimtarë me paketa të integruara (Telefoni/Internet/TV), ku 34% janë me paketa trefishe (Telefoni, Internet dhe TV)” vlerëson Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.