Thaçi në Paris: S’ka kufij në baza etnike, as shkëmbim popullatash

Në shqip e para gazetarëve të Kosovës, kreu i shtetit Hashim Thaçi ka mbajtur konferencë për media në Paris.

Në shqip e para gazetarëve të Kosovës, kreu i shtetit Hashim Thaçi ka mbajtur konferencë për media në Paris. I ka përsëritur ato që po vazhdon t’i thotë tash sa ditë edhe në Prishtinë, e gjetiu. Por në Paris, ka folur për demarkimin me Serbinë, por aty nuk ka përmendur “korrigjimin e kufirit”.

Ai u shpreh se nuk do të ketë kufij në baza etnike e as shkëmbim të popullatave.

“Nuk ka njohje reciproke si dy vende të pavarura dhe sovrane pa njohjen edhe të kufijve në nivel ndërshtetëror, prandaj komisionet tona shtetërore që do të themelohet nga shteti i Kosovës një komision profesional i përgjegjësive shtetërore, me lehtësim ndërkombëtar, do të punojmë edhe me autoritetet e Serbisë që të vejmë vijën kufitare, demarkimin sikur se ka ndodh me Maqedoninë, gjithashtu edhe me Malin e zi”, ka thënë Thaçi.

Kur ka folur për takimin e fundit në Bruksel, mes tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën lehtësimin e Mogherinit, Thaçi ka thënë se ai ka qenë plotësisht transparent.

“Deklarata e zonjës Mogherini ka qenë e botuar, ata që donë me kuptu mund ta marrin vesh se çka ka ndodh, deklarata ime ka qenë po ashtu shqip, është edhe serbisht. Ne po punojmë për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të përfshijë shumë e shumë çështje, çështja e demarkimit të kufirit është një nga çështjet përfundimtaret që do të rezultojë nga marrëveshja sepse dy shtetet duhet të kemi kufi ndërshtetëror”, tha ai.

Thaçi tha se përveç demarkimit pika të tjera të marrëveshjes do të jenë shëndetësia, drejtësia, të pagjeturit, artefaktet, arsimi e çështje të tjera.

Presidenti në këtë konferencë foli edhe për vizat.

“Do të duhej të vihej në agjendë çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, do të duhej të ndodhte votimi. Unë definitivisht nuk e kuptoj dhe nuk e arsyetoj asnjë vend shtet anëtar të BE-së rezervat për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ani pse i kanë zgjedhjet për parlamentin evropian në fillim të pranverës të vitit të ardhshëm. Por askush nuk duhet të bie nën ndikim as në Evropë të lëvizjeve populiste. Kosova është vend i veçantë, si shtet kemi implementuar të gjitha kriteret dhe standardet, 95 për qind prej tyre për liberalizimin e vizave. Sinqerisht unë mendoj shumë e vështirë sot është të mos merr vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën sesa të merr guximin me refuzuar Kosovën, sepse atëherë do të krijojmë rrethana paragjykuese edhe nga vet qytetarët e Kosovës për këto shtete të BE-së. Përndryshe, nëse nuk ndodh që të vihet në agjendë atëherë do të jetë një rrezik, jo me fajin e Kosovës, por me paragjykimet ndaj Kosovës që liberalizimi i vizave të mos ketë periudhë të kufizuar kohore, pra të kemi shtyrje krejt të pajustifikueshme nga vendet e BE-së”, tha Thaçi.

I pyetur nëse ky takim me liderë botërorë në Paris mund të shërbejë si “zbutje” e qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës, Thaçi ka thënë se do të shfrytëzojë çdo rast për të kërkuar nga ndërkombëtarët mbështetjen për të cilën shteti ka nevojë.

“Nuk mund të ketë relaksim të raporteve Kosovë-Serbi pa njohje reciproke, nuk mund të ketë normalizim të plotë pa njohje reciproke, nuk mund të as pajtim pa njohje reciproke, prandaj gjitha këto procese plotësojnë njëra tjetrën. Pjesëmarrja e dy presidentëve të Kosovës dhe Serbisë në këtë manifestim të madh botëror ka marrë një vëmendje në kuptimin pozitiv, dhe kjo është mirë, sepse nëse në një samit merr pjesë e nuk vërehesh që je aty, nuk është bash mirë, por në të njëjtën kohë duhet me i kuptuar se këtu janë liderët e botës, kështu që edhe ne duhet me ja dit hallin vetes dhe të sillemi në përputhshmëri me agjendën tonë, interesat tona dhe të kërkojmë mbështetje dhe përkrahje sa më të madhe prej liderëve botërorë, veçanti lidershipit evropian dhe SHBA-së, gjë të cilën edhe do ta bëj”, u shpreh Thaçi.

Ndërsa, për taksën prej 10 % të vendosur nga Qeveria e Kosovës për prodhimet serbe, Thaçi tha se Bashkimi Evropian tashmë ka lëshuar një deklaratë zyrtare për këtë.

Thaçi duke folur për qasjen e Listës Serbe ndaj institucioneve kosovare, ka përmendur ndikimin që ka kjo në shumicën e qeverisë.

“Vendimi i tyre për të dalë nga institucionet, nga parlamenti dhe qeveria dhe institucionet lokale, mendoj se nuk është fare ndihmues për shtetin e Kosovës, as për komunitetin e tyre, por në të njejtën kohë ka vu në turbulencë edhe funksionimin e institucioneve të vendit, në veçanti të Qeverisë, sepse qeveria tash duhet të konfirmojë edhe zyrtarisht e ka shumicën apo nuk e ka.... Kjo (zgjedhjet) është vendim i partive politike, ndërsa unë si president natyrisht se do të kryej obligimet dhe do të marrë vendimet duke respektuar kushtetutën por duke bërë edhe interperetimin e autoritetit tim si president, nëse qeveri aktuale e dëshmon se e ka shumicën, atëherë vazhdo punën, nëse nuk e ka atëherë shikohet mundësia e interpretimeve të tjera të cilat janë në përputhshmëri me kushtetutën”, u shpreh ai, përcjell Kosovapress.

Kanë mbetur edhe dy ditë deri në konferencën e Parist ku të pranishëm do të jenë liderët më të rëndësishëm botërorë.