Lista Serbe ka reaguar në lidhje me këtë vendim të Qeverisë për tatimin prej 10 për qind të vendosur ndaj produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina,
Ata sot nëpërmjet një komunikate për media kanë kërkuar tërheqje të menjëhershme të këtij vendimi duke thënë se ky vendim kërcënon në mënyrë të drejtpërdrejtë mbijetesën e serbëve në Kosovë.
Ndër të tjera, ata janë shprehur se nga tani, do të jenë në opozitë të plotë dhe nuk do të mbështesin asnjë sugjerim të qeverisë, e gjithashtu do të jenë të gatshëm të mbështesin çdo propozim për të rrëzuar qeverinë.
Në anën tjetër, janë edhe dy partitë opozitare LDK dhe Vetëvendosje që tash e një vit kërkojnë rrëzimin e qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohëshme.
Duke pasë parasysh se LDK dhe Vetëvendosje së bashku me votat e Listës Serbe mund të arrijnë numrin e nevojshëm të deputetëve për rrëzimin e qeverisë, lajmi.net ka kontaktuar deputetën e LDK-së, Besa Gaxherrin për të marrë qëndrimin e kësaj partie nëse do të bashkëpunonin me deputetët serbë për të rrëzuar qeverinë.
Besa Gaxherri ka thënë se LDK nuk ka mbledhur strukturat e saj për të diskutuar këtë çështje, por siç thotë ajo Lidhja Demokratike e Kosovës e ka pasur mundësinë të rrëzoj qeverinë në fillim të mandatit me votat e Listës Serbe por nuk e ka bërë një gjë të tillë.
“Ne nuk jemi mbledhur si subjekt politik, strukturat ose kryesia për të marrë qëndrim ndaj kësaj çështje, por ju e dini të gjithë se në fillim të mandatit kemi pasur mundësi të rrëzojmë qeverinë nëpërmjet Listës Serbe, por nuk kemi vepruar.” ka thënë Gaxherri për lajmi.net.
Mirëpo ajo personalisht nuk e ka mohuar si mundësi që të bashkëpunohet me Listën Serbe në këtë moment për të rrëzuar qeverinë.
“Tani duhet të analizojmë situatën mirë, por LDK nuk është parti që i ka shërbyer Serbisë dhe që i ka shkatërruar proceset në vend, megjithatë, kësaj radhe, siç është situate në Kosovë, me një qeveri të pakicës, një president që nuk e respekton Kushtetutën e vendit, me LDK që kërkon zgjedhje tash e një vit, nuk e kemi diskutuar ende por nëse me të vërtetë është e mirë për vendin me shku në zgjedhje, duhet ta analizojmë.”, ka shtuar deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri.
E pyetur nëse LDK nuk e përjashton mundësinë e bashkëpunimit me Listen Serbe, Gaxherri është shprehur se ky është qëndrimi i saj personal dhe kjo çështje duhet të diskutohet në mënyrë që të merret një qëndrim i tillë si parti.