Kocijançiç: KE dhe Serbia kanë pikëpamje shumë të ndryshme për ndërprerjen e dialogut

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është duke u zhvilluar në nivel teknik dhe ekspertësh, ka thënë zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç

Në një bisedë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, ka thënë se qëllimi është që të caktohet takimi i radhës i nivelit të lartë mes zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë.

Ajo tha se Beogradi dhe Komisioni Evropian kanë pikëpamje të ndryshme ndaj dialogut. Beogradi dhe disa zyrtarë ndërkombëtarë mendojnë se ai u ndërpre për shkak të konfliktit mes liderëve të Kosovës dhe qëllimit të kësaj të fundit për të formuar ushtrinë, transmeton Koha.net.

“Vlerësimet tona për gjendjen e dialogut janë dukshëm të ndryshme”, tha Kocijançiç, duke mos u thelluar më tej.

Kjo ishte përgjigja e saj ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, se “Serbia është në një pozicion shumë të rëndë” për shkak të qëllimeve të Kosovës për të formuar ushtrinë.