Presidenti Thaçi dhe ministri Boshkoviç kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale dhe për mënyrat sesi ato mund të zgjerohen përmes një bashkëpunimi edhe më të mirë në fushën e sigurisë.
Thaçi e ka njoftuar ministrin malazez për tri projektligjet e votuara në Kuvendin e Kosovës, të cilat e transformojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës.
“Forca e Sigurisë së Kosovës përmes një procesi gradual do t’i ketë kapacitetet e plota në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare dhe si e tillë do jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe do t’i kontribuojë paqes”, ka thënë Thaçi.
I pari i vendit e ka falënderuar ministrin Boshkoviç për prezencën e ushtarëve malazezë në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë, që sipas tij “Mali i zi po i kontribuon paqes dhe stabilitetit”.
Po ashtu, në këtë takim është diskutuar edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke.
Kreu i shtetit ka thënë se Mali i Zi është shembull i mirë për Kosovën dhe rajonin në rrugën euroatlantike.
Ministri Boshkoviç e ka siguruar presidentin Thaçi për mbështetje të gjithanshme të Malit të Zi, sidomos në procesin e integrimeve euroatlantike.
Presidenti Thaçi ka shtuar se Mali i Zi në këto dy dekada ka marrë vendime të rëndësishme për sigurimin e paqes në rajon.