Greiçevci dorëzon letrat kredenciale te Mbreti i Holandës

Ambasadori i së Kosovës, Lirim Greiçevci, i ka dorëzuar letrat kredenciale Mbretit të Holandës, Willem-Alexander.

Në njoftim nga Ministria e Punëve të Jashtme thuhet se ceremonia në Pallatin Mbretëror në Hagë filloi me intonimin e himnit të Kosovës nga orkestra mbretërore dhe inspektimin e gardës mbretërore nga Greiçevci.

“Ambasadori Greiçevci më pas dorëzoi Letrat Kredenciale dhe zhvilloi një takim me Mbretin e Mbretërisë së Holandës. Me këtë rast, duke përcjellë përshëndetjet e Presidentit Thaçi, ai shprehu falënderim të veçantë për mbështetjen e Holandës dhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy shteteve. Njëkohësisht, Ambasadori Greiçevci premtoi se do të angazhohet për intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale”, thuhet më tej në njoftim.

Greiçevci para se të bëhej ambasador në Holandë, këtë funksion e pati në Mbretërinë e Bashkuar.

Në shkurt të vitit të ardhshëm, Ambasada e Kosovës në Mbretërinë e Holandës shënon 10 vjet nga hapja e saj.

Mbretëria e Holandës është vendi i 23-të që ka njohur pavarësinë e Kosovës, përkatësisht më 04 mars 2008.