Korrigjimi i territoreve, Vetëvendosje e paralajmëron Thaçin

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protesta edhe më masive gjatë javëve në vijim nëse presidenti Hashim Thaçi nuk tërhiqet nga ideja ...

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protesta edhe më masive gjatë javëve në vijim nëse presidenti Hashim Thaçi nuk tërhiqet nga ideja për korrigjimin e territoreve me Serbinë.

Ata madje kanë paralajmëruar Thaçin se nëse nuk tërhiqet nga kjo ide ata do të kërkojnë edhe lirimin e postit të presidentit.

Protestës të së shtunës të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje iu bashkuan mijëra qytetarë ku edhe u kërkua tërheqja e idesë së Thaçit për korrigjimin e kufijve.

Deputeti Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, në një prononcim ka deklaruar se nëse presidenti nuk e ka kuptuar mesazhin ata do të vazhdojnë me protesta edhe më masive.

“Mbas protestës, nëse presidenti Thaçi nuk e ka kuptuar mesazhin e qytetarëve se duhet t’i ndërpres aventurat rreth pazareve me tokat e Kosovës do të vazhdojmë më një protestë shumë më të madhe që do të kërkojmë, jo vetëm të ndërpriten bisedimet por edhe të dorëzoj mandatin. Mesazhi ka qenë i qartë, është kërkuar që të mos luaj me më çështje që janë të ndejshme siç është kjo e kufijve, e besoj që e kupton edhe Qeveria”, ka thënë Kurteshi për lajmi.net.

Po ashtu Kurteshi ka thënë se do të kërkojnë që të bëhet një platformë e përbashkët, një delegacion për të cilin siç thotë ai pajtohen edhe partitë tjera opozitare.

“ Po ashtu do të kërkojmë që të bëhet një platformë e përbashkët një delegacion për të cilin pajtohen edhe opozita edhe një kryenegociator. Por, krejt këto që janë propozuar deri tani duhet të shkojnë në rishikim dhe të dalin nga tatimet e pozitës dhe opozitës, por jo pozita që të na imponojë qoftë platformën apo delegacionin, qoftë presidenti të bisedojë i paautorizuar këto asnjëra nuk vijnë në konsideratë”.

Kurtishi ka paralajmëruar që protestat e ardhshme do të jenë edhe më masive se sa ajo e kaluar, por që, siç thotë ai, do të jenë paqësore dhe gjithëpopullore.