Lëvizja Vetëvendosje kishte paralajmëruar protesta edhe më masive se ajo e 29 shtatorit, nëse presidenti Hashim Thaçi nuk tërhiqet nga ideja për korrigjimin e territoreve me Serbinë, por si duket kjo parti ka ‘hequr dorë’ nga ky paralajmërim.
Ata madje kishin paralajmëruar Thaçin se nëse nuk tërhiqet nga kjo ide do të kërkojnë edhe lirimin e postit të presidentit.
Kështu kishte deklaruar për lajmi.net deputeti i LVV-së Ismajl Kurteshi, por edhe pse kanë kaluar më se një muaj, kjo parti ende nuk ka një datë të saktë se kur do të organizohet protesta e radhës.
Lajmi.net gjatë javëve që lamë pas ka tentuar të marr një përgjigje nga zyra për informim e kësaj partie rreth protestës, por ata nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.
Ndërkohë sot, deputeti i kësaj partie Ismajl Kurteshi ka thënë shkurt për lajmi.net se partia e tij ende nuk ka një datë se kur do të mbahet kjo protestë.
“Jo ende nuk e kanë vendosur strukturat e partisë se kur do të mbahet protesta”, ka thënë shkurt Kurteshi.
Kujtojmë se protestës së 29 shtatorit e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje iu bashkuan mijëra qytetarë ku edhe u kërkua tërheqja e idesë së Thaçit për korrigjimin e kufijve.