MALLI I MËRGIMTARIT - Shkruan Mr.Sc.Shefat Ademi

MALLI I MËRGIMTARIT - Shkruan Mr.Sc.Shefat Ademi

MALLI I MËRGIMTARIT

Kaherë kam qenë i inspiruar të shkruaj disa rreshta apo vargje, për mallin e mërgimtarit. Jeta e mbushur me shumë sfida të rënda si ajo ekonomike, e ka tanguar gjithmonë shqiptarin të gjejë rrugëzgjidhje që të bëjë një jetë më të "mirë" larg atdheut të tij. Kurbeti gjithmonë ka qenë një zgjedhje e detyruar për njerëzimin, sepse synimi ka qenë që pasardhësve t'u krijohen kushte më të mira për jetesë.

Fillimet e migrimit masiv, te shqiptarët filluan atëherë kur të tjerët dëshiruan të bëhen zotët e atdheut, në kurrizin e shqiptarëve. Kjo shpërngulje, i gjeti të thyer shpirtërisht por asnjëherë nuk e humbën primatin që të kontribonin për mëmëdheun të cilën e lanë shkretë nga okupatorët e njëpasnjëshëm.

Rilindja Kombëtare Shqiptare, e barti këtë temë mbi supet e saja ku atdhetdashësit më të mëdhenj i kënduan këtij atdheu me zemrën të mbushur zjarr saqë, sot e kësaj dite ata mbetën model i përjetësisë, se migrimi asnjëherë nuk është zgjidhje, por imponim. Pas shqiptarëve të Shqipërisë, të njëjtin fat e patën edhe shqiptarët që jetuan në Jugosllavinë e Pashiqit, Grashaninit, Rankoviqit, Millosheviqit, e deri më tash synimi i tyre ishte që shqiptarin ta bënin të huaj në vendin e tij. Mjerisht, disa i mbijetuan e disa u tretën larg vendlindjes, e disa u zhdukën pa nam e nishan.

Pas luftës së fundit në ish-Jugosllavi, dhe rënies së komunizmit migrimi i shqiptarëve  drejt perëndimit, u rrit dukshëm dhe që vazhdon akoma të jetë edhe më i madh duke pasur parasysh se gjendja ekonomike e ballkanit, është në prag të një katastrofe më të madhe që njeh historia e njerëzimit. Me doza emocionale, kurbetit i kënduan Çajupi, Mjeda, Noli, Konica, Pashko Vasa, Naimi, Samiu, e shumë e shumë të tjerë të cilët kurbetin e panë me hidhërimin më të madh, sepse detyrë kishin t'i këndonin atdheut të cilën shqiptarët shpirtshitur, e kishin bërë tregti ditore për interesat e veta.

Po sot si janë shqiptarët?

Shqiptarët janë si mos më keq, janë si lisi i rrëzuem për dhé  siç thoshte Pashko Vasa, sepse në truallin e saj ajo po humbet shtyllën e së ardhmes, rininë e cila çdo ditë e më shumë synimin e kanë të ikin nga ky vend për një të ardhme më të mirë. Me zemër të thyer, çdo ditë secili i ri në bisedat e bëra, tema kryesore mbetet shkuarja drejt shtetit të Gjermanisë, për të siguruar sadopak një kafshatë bukë, për familjen dhe të ardhmen e saj.

Kurrë s'na u hoq gazepi, dhe as që do na hiqet ndonjeherë neve shqiptarëve sepse çdoherë do ta shtrojmë pyetjen  se pse nuk bëhet mirë këtu?

Rrethanat besoj i dimë të gjithë…

Mr. sc. Shefat Ademi