• E mërkurë / Dec-07 15:06
  • Kontakt

Arrihet marrëveshja për targat në Bruksel

Arrihet marrëveshja për targat në Bruksel

Kosova dhe Serbia, të mërkurën mbrëma kanë arritur marrëveshje për targat, në Bruksel.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka bërë të ditur se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve”, tha ai.

Tutje ka ftuar palët që në ditët në vijim të diskutojnë për hapat e ardhshëm të dialogut.

“E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak palët për punën e palodhur”, u shpreh Borrell.

Ndërkaq, ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka thënë se pas shumë orë bisedimesh, Kosova ka arritur objektivin e saj.

“Pas orëve të gjata, arritëm objektivin tonë: Kemi një marrëveshje! Tani mund të fillojnë bisedimet intensive për normalizimin e plotë”, shkroi Bajrami në Twitter.

Ndryshe, takimi në Bruksel është zhvilluar vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.