Scholz: Dëshmi e qartë që rusët nuk janë të suksesshëm në Ukrainë, referendumet e turpshme kurrë nuk do t’i njohim

Scholz: Dëshmi e qartë që rusët nuk janë të suksesshëm në Ukrainë, referendumet e turpshme kurrë nuk do t’i njohim

Politikanët gjermanë po përcjellin me shqetësim paralajmërimet e presidentit rus Vladimir Putin për mobilizimin e pjesshëm, kurse kancelari gjerman Olaf Scholz në reagimin e tij të parë ka theksuar se ky mobilizim është shenjë se sulmi rus në Ukrainë ka rezultuar i pasuksesshëm.

“Kjo lëvizje mund të interpretohet në atë formë, që sulmi në Ukrainë nuk po shkon siç e kishte pritur Moska”, shtoi kancelari gjerman.

Në kumtesën e lëshuar nga zyra e kancelarit gjerman që aktualisht gjendet në SHBA për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, thuhet se Rusia është detyruar të bëjë rigrupimin e forcave të saj në rajonet e okupuara në verilindje të Ukrainës, që është një dëshmi për mossukses.

“Është një tregues i qartë që Ukraina me sukses po mbron integritetin dhe sovranitetin e saj”, thuhet ndër tjera në kumtesë.

Planet e presidentit rus që katër rajone të Ukrainës të mbajnë referendum që t’i bashkohen Rusisë, zëdhënësi i Scholzit i ka cilësuar si “referendume të turpshme” dhe se kurrë nuk do të njihen ndërkombëtarisht.

Zëvendëskancelari Robert Habeck ka theksuar se Putini është duke shkuar drejt rrugës së eskalimit të situatës.

“Bëhet fjalë për eskalimin e mëtejmë të luftës ruse në Ukrainë. Është një lëvizje e keqe që do të dënohet ashpër”, shtoi Robert Habeck.