Lavrov: Kemi blerës të tjerë për naftën dhe gazin, nuk duam luftë në Europë

Lavrov: Kemi blerës të tjerë për naftën dhe gazin, nuk duam luftë në Europë

Rusia nuk do luftë në Europë por shtetet perëndimore duan disfatën e Moskës në fushatën ushtarake në Ukrainë. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm Sergei Lavorv, i cili tha se shpreson që pas finalizimit të operacionit në Ukrainë t’i japin fund dominimit amerikan në botë.

Sipas tij me përmbushjen e objektivave në Ukrainë do të kontribuojnë në frenimin e përpjekjeve të Perëndimit për të minuar të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e kartës së OKB, përfshirë atë të barazisë sovrane të shteteve.

“Nëse jeni të shqetësuar mbi mundësinë e një lufte në Europë ne nuk e duam këtë gjë aspak. Por dua t’iu tërheq vëmendjen mbi faktin se është perëndimi që vazhdimit dhe në mënyrë persistente deklaron se në këtë situatë është e nevojshme mundja e Rusisë… Nxirrini vetë konkluzionet”, tha Lavrov.

Ai foli gjithashtu edhe për çështjen e energjisë duke thënë se Rusia ka blerës të mjaftueshëm për resurset e saj, jashtë Perëndimit. Komenti i referohet përpjekjeve të shteteve të BE-së për të reduktuar varësinë nga nafta dhe gazi rus. “Le të paguajë më shumë Perëndimi nga ç’ishte mësuar të paguante Federatën Ruse dhe le t’i shpjegojë popullsisë së vet përse do të bëhet më e varfër”, tha Lavrov.

Sakaq, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha në një deklaratë se operacioni ushtarak në Ukrainë po vijon sipas planit, ashtu sikundër pohoi me herët edhe presidenti rus. Peskov shtoi se Putin nuk ka ndërmend të shpallë ligjin e luftës në Rusi. Nga zëdhënësja e ministrisë së jashtme Maria Zakharova erdhën të mërkurën sinjalet se diçka po lëviz për të rikthyer palët në tryezën e negociatave. Ajo tha se delegacionet po kontaktojnë për rinisjen e bisedimeve, pas një ngërçi disajavor në frontin diplomatik.